Profesoresha e regjisë së teatrit, Elmaze Nura ka botuar librin e saj më të ri.
Bëhet fjalë për monografinë e quajtur “Kosovar Cultural Identity” dhe duke nisur nga titulli kuptohet se bëhet fjalë për identitetin kulturor të Kosovës.
Në monografi është përfshirë periudha që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot.
Libri i Prof.Asc. Elmaze Nura u vlerësua edhe nga recensentë siç është profesor Emin Emini, i cili shkroi se libri ngre disa pyetje thelbësore, siç janë kombi dhe nacionalizmi, përkatësia etnike dhe qytetaria dhe, mbi të gjitha, identiteti dhe kultura, të cilave u jep përgjigje nëpërmjet shembujve praktikë dhe teorikë.
Ndërsa, recensenti tjetër, profesor Dashamir Berxulli, argumenton se monografia e profesoreshës Elmaze Nura jep kontribut domethënës dhe padyshim origjinal në dinamikën, shtresimet e identitetit dhe simbolet e lidhura pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Kosovar Cultural Identity” nga java e ardhshme mund ta gjeni në libraritë “Artini”, “Dukagjini” dhe “Buzuku” në Prishtinë dhe në librarinë “Altera” në Prizren./SN