Monolog në ëndrrën e mërgimtarit

Prishtinë | 07 Gus 2022 | 14:47 | Nga Ragip Gjoshi

1.

Udhë e natë njëmijëvjeçe
Nisur nga nipërit e stërnipërit e plisbardhëve
Udhë e moçme për Anadoll, Evropë, dhe Amerikë

Në përmallim ëndërronte një kurbetçar
Përvajdhëm në pa kthim udhëve te huaja të paemër
Në dëshpërim duke dënes një monolog bënte

Duke kërkuar fatin më të mirë erdha në skaj të botës
Vërdallem si memec se nuk dijë gjuhë të huaj
Por, ëndrrat i shoh veç në Kosovë tërsisht shqip
Buzëqeshjet më janë shtangur në shpirt
Në vorbullën e metropoleve evropjane tek vërtitem
Me letra e pa letra si gjithëmonë
Në vrap për të gjetur një rrugë shpresëjete

Herë rruges i vetmuar
Herë në shoqëri me vetminë
I ngarkuar me mërzinë e ndjenjat për atdheun
Gjithmonë i përmalluar në tokë të huaj
I huaj përherë-asnjëherë i denjë
Jemi dehur pas një orkestëri
Dhe pas një kënga të dhimbshme
Cep më cep lagjëve të trojeve tona

I lamë arat tona djerrina
E në sy mora mërgimin
Herë duke mallkuar pushetin
Herë duke sharë shtetin…
Sikur ata që shkuan me plisa të bardhë
Dhe u kthehen me koka të bardha…

2.

Ëndrra i thotë mërgimtarit
Se rreth këngës do të bashkohemi sërish
Se këngët më të bukura, kanë të ardhme
Këtë thënie e psherëtiu i përgjumur…

Do të vijë një Epokë e re kur këngë e jona do të gëzojë
Mbi supe lisash sërish zogjtë do këndojnë
Do të vijë një Epokë e re edhe për ne
E ne do të dehemi me lotët e nënlokeve
Në një ditë krejt e bardhë që ka për të ardhë
E përreth në një sofër bashkë do të bëheni
Se rreth e rrotull globit të botës jemi degëdisem
E do të çmallemi me këngën e zogjëve të vendlindjes
Do të vijë ora kur Epoka e re do të flasë shqip
E mbi supe gërxhesh zogjtë do të këndojnë
Dhe malet do të mbushet me këngë epike

Do të vijë një Epokë kur ta puthim këtë tokë
E nga gëzimi do të dehemi pa derdhë lot
Dhe fjala mërgim vëngër do të vështrohet
E se do të kthehemi sërish në Kosovën tonë
Sikur ata që shkuan me plisa të bardhë
Dhe u kthehen me koka të bardha…

Mërgimtari brofi nga gjumi
Braktisi ëndërrën dhe klithi thekshëm:
Jo,nuk dua te largohem nga ty vendi im
Jo ,nuk dua që të le Epikën e Historinë e Nënës Kosovë
Jo,nuk dua që të jem largë nga njerzit e mijë
Jo.nuk dua të jem larg nga djepi qe me perkundi
Kosovë,ma ruaj një copë tokë për carr
Jo,nuk iku mënnga toka ku ndjeva lumturi dhe krenari
Ky do të jetë refreni i Epokës së re …

Drenicë, më 7 gusht 2022

Të ngjashme