Trajneri i kombëtarës së Turqisë, Vincenzo Montella, është paraqitur në një konferencë për media pas arritjes në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Ai deklaroi se Kosova ka arritur këtu me plot meritë, ndërsa tha se që të dyja ekipet kanë presion për t’u kualifikuar tutje.
Tutje, Montella tha se nesër pret një finale të madhe.
“Kosova ka ardhur deri këtu me meritë. Nga ana taktike dallohet qartë struktura e tyre, kanë një lojë dhe ide shumë të qartë. Këtë mund ta shihni edhe gjatë ndeshjes. Do të dalim në një finale. Edhe ne do të përgatitemi në mënyrën më të mirë dhe e dimë çfarë duam të bëjmë”.
Turqia nuk ka luajtur në Botëror që nga viti 2002, me Montellën që thotë se do ta bëjnë më të mirën për vendin e tyre.
“Të gjithë e ndjejnë presionin. Kjo është një finale. Prej 24 vitesh nuk kemi shkuar, por shumica e lojtarëve tanë as nuk kishin lindur atëherë. Nëse nuk kemi shkuar për 24 vite, nuk janë ata përgjegjës. Këtë herë duam të shkojmë dhe do të bëjmë më të mirën për vendin tone”, tha ai.
“Së pari, desha t’ju përshëndes. Prej dy vjetësh e gjysmë jam selektor i reprezentacionit të Turqisë dhe jam shumë i kënaqur e i lumtur për këtë rol. Kam përkrahjen e plotë të kryetarit Haxhi Osmanollu. Siç e dini, të gjitha këto suksese që i kemi arritur janë meritë e futbollistëve.
Gjatë kësaj periudhe kemi dalë liderë; ndeshjen e parë e kemi fituar kundër Kroacisë si mysafir dhe kemi siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian. Kemi dalë si liderë të grupit dhe kemi pasur paraqitje shumë të suksesshme në Kampionatin Evropian. Gjithashtu, kemi kaluar në Grupin A të Ligës së Kombeve.
Të gjitha këto suksese ua atribuoj lojtarëve të mi, të cilët i respektoj si fëmijët dhe vëllezërit e mi. Edhe një herë theksoj se kam mbështetjen e plotë të kryetarit Haxhi Osmanollu. I përshëndes gjithashtu të gjithë futbollistët e tjerë që nuk janë këtu sot.
Sot desha të jem pak më i lirë në këtë konferencë për shtyp, sepse nesër nuk e di, ndoshta do të jem i lodhur. Pavarësisht rezultatit të nesërm, unë mburrem me këta futbollistë që kam”, tha Montella në konferencë, raporton EO.
