Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati janë emrat më të rinj të Përfaqësueses A të Kosovës. Sot Federata e Basketbollit e Sllovenisë dhe Federata e Basketbollit e Kosovës kanë arritur marrëveshje që Morina dhe Kastrati tash e tutje të bartin fanellën e Kosovës.
Kastrati sivjet ka qenë i ftuar në listën e gjerë të Sllovenisë nga përzgjedhësi Igor Kokoskov, por tani ai do të jetë i fokusuar vetëm për Kosovën.
Kjo marrëveshje e arritur ndërmjet dy federatave është bërë edhe me pëlqimin e Morinës dhe Kastratit, të cilët janë treguar të gatshëm të luajnë për Kosovën.
Të dy basketbollistët kanë qenë pjesë e Sllovenisë, ndërsa ata tani do të ndërrojnë nënshtetësinë e basketbollit, nga ajo sllovene në atë kosovare. Kjo pritet të bëhet në ditët në vazhdim pas dorëzimit të dokumentacionit në FIBA, gjë që do të ndodh sot.
Gëzim Morina:
“Jam mjaft i lumtur që ka ardhur kjo ditë, sepse dëshira ime gjithnjë ka qenë gjithnjë të luaj për Kosovën, pra për vendlindjen time. E falenderoj Federatën e Sllovenisë për gjithë atë që ka bërë për mua, qysh nga koha kur unë jam shpërngulur atje dhe deri në ditën e sotme. Po ashtu dua të theksoj se sa herë kam pasur nevojë për ta, më janë gjindur pranë, pra janë treguar tejet korrekt dhe kjo e dëshmon më së miri fakti se më lejuan të kthehem për të mbrojtur ngjyrat e atdheut tim. Tani unë premtoj se do të bëj më të mirën për Përfaqësuesen e Kosovës, duke filluar nga faza përgatitore e tutje”.
Erjon Kastrati:
“Unë kam nderin dhe kënaqësinë që i jam bashkuar Përfaqësueses së Kosovës. Ky është një lajm shumë i mirë për mua. Në të njëjtën kohë dua të falënderoj Federatën Sllovene për korrektësinë e treguar ndaj meje, por edhe për gjithë atë që kanë bërë për vite të tëra për mua. Ka qenë kënaqësi për mua që e kam bartur fanellën e Sllovenisë, por tani i gjithë fokusi im është tek Përfaqësuesja e Kosovës, ku unë premtoj se do të bëjë më të mirën dhe do të jap 100% tim”.