Morina: Jam i kënaqur me pikët që kemi fituar, por kemi mundur më shumë

Prishtinë | 14 Dhj 2020 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Arbëria ka befasuar Dritën, teksa i ka nxjerrë një pikë në javën e 18-të të Superligës së Kosovës.

Kryetrajneri i Arbërisë, Arbnor Morina në një intervistë për “Art Sport” ka folur për ndeshjen.

“Fillimisht më lejoni të ngushëlloj familjen dhe të gjithë për vdekjen e Naser Sylejmanit, ai ka qenë një punëtor shumë i madh dhe e kam pasur mik personalisht”.

“Një pikë që ka mund të ketë mbështetjen me disa pikë të tjera nga duelet e kaluara të cilat i kemi luajtur mirë, por kemi dalë duar thatë”, deklaroj fillimisht Morina, duke vazhduar.

“Neve na karakterizon një lojë kolektive, ku individët kanë kuptuar se kualitetet e tyre duhet t’i shkrijnë në kolektiv dhe këtë më së miri po e bëjnë, Almir Kryeziu ka kualitet të madh e Andi Thaqi është pjesë e Arbërisë që nga viti i kaluar ndërsa sot tregoi edhe njëherë cilësitë që ka”

“Gjithsesi që jam i kënaqur me pikët që kemi fituar, por në brendësi të gjithëve do na mbetet zhig për një ose dy pikë më tepër, por në përgjithësi duke marrë parasysh se jemi skuadër e re në Superligë duhet të flasim me superlativë si për futbollistët e po ashtu edhe për punën në ekip”, përfundoi trajneri prishtinas i kuqezinjve.

Arbëria me këtë barazim ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e gjashtë me 21 pikë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme