Mos cito!

Prishtinë | 09 Jan 2022 | 22:09 | Nga Edison Ypi

Hordhia e këtyre që janë bërë të famshëm, por jo të dashur, duke lëpirë kocka, dhe shkruajnë nëpër gazeta, revista, dalin në televiziora, mbajnë fjalime para turmave, llomotisin në kafene, e s’lënë rast pa cituar mendimtarët e botës, janë ca plehra që duhen djegur.

Lere se ç’kan thënë të tjerët. Ti vetë a ke ndonjë gjë tënden për të thënë ?

S’ka gjë që e zbulon mjerimin njerëzor dhe intelektual më tepër se citimet.

Citatet, quotat, maksimat, ekzistojnë, janë të këndëshme, zbavitëse, vlejnë për gjallërimin dhe pasurimin e mendjes, por jo që rrugaçët e letërsisë dhe zagarët e fjalimeve ti përdorin për tu dukur të ditur.

Citatet nuk janë komardare për të shpëtuar nga mbytja në oqeanin e budallallëkut tënd kur busulla të është prishur dhe velat të janë grisur.

Citimi, përveç ndonjë rasti të rrallë të domosdoshëm, është, të paktën turp.

Me dijet që përmes shkollimit ke marrë, përvojave nëse ke ndjerë, udhëtimeve nëse ke gjezdisur, ajo që të mbetet të bësh është që, pas distilimit të njohurive të grumbulluara, të mprehësh aftësitë e vetes, pastaj të thuash e të shkruash të tuat, e jo të citosh të tjerët.

Por ata që citojnë, kanë aq ngut për ta shpallur budallallëkun e vetes, sa s’ka Zot që i ndal.

Aq i pakontrolluar është nguti për të cituar, sa s’të lënë asnjë dyshim se shkojnë me shpresën e marrë dhe pritshmërinë e kotë se përmes citimesh mund të bëhen aq të famshëm, sa me kalimin e kohës do bëhen të citueshëm nga brezat e ardhshëm.

Ajo që bie menjëherë në sy tek cituesit tanë, është se sa më i varfër në ide, sa më steril në stil, sa më shterp në fantazi, sa më i paaftë në improvizim, dhe sa më i paturpshëm dhe budalla, aq më të lartë e zgjedh autorin e citatit.

Dhe nga bota e citateve nuk marrin citatet më të mira, por shkojn e zgjedhin citatet më të këqia, citatet analoge, ato që shprehin të vërtetat evidente.

Ka pa fund citate frymëzuese dhe zbavitëse që unë i mbaj ment, por kurrë nuk i përdor, se kam turp të huazoj, kam tmerr të kopjoj.

Për shembull Konica ka thënë këtë mrekulli që nuk e citon asnjë citues;

“Shqiptari i afrohet aq tepër zjarrit të dashurisë për Shqipërinë, sa djeg veten”.

Ose madhështorja shprehje erotike e Çajupit; “Po ta zuri rrota bishtin, lere ta këpusi, se pa bisht njeriu jeton, por pa rrotë nuk ka ku shkon”. Që edhe kjo është lënë padrejtësisht në harresë.

Një shembull tjetër është citati cinik i Nolit të madh që duket si i menduar enkas për cituesat tanë dembela e parazita;

“Për shqiptarin që s’bën asnjë punë, nuk është kurrë as herët as vonë”.

Ndër citatet e lëna padrejtësisht në harresë, është dhe citati monumental i Shekspirit që thotë; “S’ka dashuri pa tradhëti”.

Ose “Mjerë ai lider që tregon vazhdimisht të njëjtën përrallë” që e ka thënë dhe e ka lënë Kisingeri i pavdekshëm për liderët që i bien fyellit gjithmonë në të njëjtën brimë.

Ka një thënie madhështore të Ahmet Zogut para se të vdiste; “Për ta mbajtur të pastër Shtetin, vrasjet i bëra me pagesë nga xhepi im”.

Cituesat tanë kanë lënë pas dore shprehjen aq aktuale të Tolstoit të madh; “Në varrim do të vijnë të gjithë ata që të kanë vrarë”.

As citatin e pavdekshëm “Të afërmit janë kosh plehrash. Të pastër janë vetëm të largëtit” të filozofit pesimist Shopenhauer s’kujtohet njeri ta citojë. Por ky moskuptim është i justifikueshëm sa kohë cituesat tanë janë vetë kosha plehrash.

Nuk mund të lihet pa u cituar Montaneli; “Gjëja më e mirë që mund të bëni me gazetat, është të fshini bythën”. Kjo s’lyp koment, se duke e thënë për gazetat, brenda janë edhe cituesat.

Është pafundësisht herë më i mirë, budallallëku, pordhacllëku, deliri, shpifja jote, intriga jote, se sa citimi i tjetrit.

Citimet më lart, nuk janë të vërteta, i sajova.

Pse të mos i sajoja, përderisa, falë Internetit, lexuesit i besojnë.

Të ngjashme