Nuk është fer me marrë nëpër gojë Vlora Çitakun për problemin me njohjen nga Xhamajka! Edhe ma hiç, nuk është fer me e ba atë kurban të gabimeve të të tjerëve. Ajo ka kryer punën e vet në mënyrën më korrekte të mundshme duke informuar vendin e vet për një njohje të re që pritej të zyrtarizohej përmes notës verbale.
Ambasadorja Çitaku përcolli informacionin që kishte. Madje, ajo bëri edhe një punë shtesë që nuk ishte e detyruar ta bënte: rekomandoi institucionet e vendit që të mos reagonin publikisht pa u konfirmuar njohja përmes notës verbale.
Presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit dhe kryediplomati i Kosovës, pra që të gjithë me rend, u sollën si adoleshentë në politikë. Unë nuk pres përgjegjësi nga një president si Hashim Thaçi, por pres përgjegjësi nga dy persona tjerë që sot janë në krye të institucioneve e për të cilët kam shpenzuar kohën time që ata të vijnë aty ku janë. Fjalën e kam për Albin Kurtin dhe për Vjosa Osmanin. Ata duhet të na kërkojnë falje për reagimet e tyre “premature” lidhur me njohjen.
Kjo që ndodhi tash nuk është gjë e re për Kosovën. Këso gabimesh kanë ndodhur vazhdimisht. Por, ajo që unë po kërkoj është një reflektim i ri ndaj gabimeve, një reflektim ndryshe i Albinit, i Vjosës dhe i Glaukut! Heshtja e tyre më shqetëson. Thjesht, ndihem i zhgenjyer.
Tash do të dalë dikush e të thotë: s’keni parë gjë akoma! E po, ndoshta vërtet s’kemi parë. Por, ta kenë të qartë se jemi duke i përcjell këmba këmbës. Nuk ka përkrahje blanko për askend. Albini, Vjosa, Glauku nuk janë të rinj në politikë. Ata është dashur të merrnin mësim nga praktikat e kqija të sjelljeve dhe reagimeve të pushtetarëve pararëndës për aq kohë sa kanë qenë në politikë dhe të mos i bënin të njëjtat gabime që në rastin e parë.
Hiç s’ka rëndësi pse kanë qenë në opozitë. Kjo sjellje e tyre me statusa në rrjetet sociale e me falëmderime publike ndaj një njohje që nuk kishte ndodh zyrtarisht akoma, i ka shkaktuar dëm të madh vendit tonë. Minimumi që këta njerëz duhet të bëjnë është që të na kërkojnë falje!
Mos e bëni kurban Vlora Çitakun për fajin që mbani ju! Kjo nuk kalon!