Para fillimit të seancës së 38-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, organizatat e shoqërisë civile organizuan sërish një performancë simbolike për të shprehur pakënaqësinë ndaj bllokimit të konstituimit të institucioneve, raporton Ekonomia Online.
“Boll!”, “Mos folni për zgjedhje, kur s’ofroni zgjidhje, “Konkurs për deputetë të rinj”, “Institucionet nuk janë për pazare”, ishin vetëm disa nga parullat që u panë në këtë protestë simbolike.
Që nga përfundimi i zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke hyrë sot në përpjekjen e 38-të për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar institucionet e reja.
Hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj tha se nuk ka hapësirë për kushte dhe vonesa dhe se Kuvendi duhet të konstituohet sa më parë.
“Gjykata Kushtetuese dje foli, e përsëriti atë që e kemi thënë që disa muaj si organizata të shoqërisë civile. Marrëveshje politike për të konstituar kuvendin, partia e parë duhet të përmbush obligimet kushtetuese për të bërë kompromis për votimin e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve përmes votimit të hapur. E drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar, kjo gjë është e ditur. Kandidati duhet të sigurojë 61 vota për, kjo e drejtë nuk nënkupton pastaj edhe që të bllokojë Kuvendin e Kosovës deri në pafundësi. Duhet të kërkohet konsensus, ose kompromis i nevojshëm. Kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të bllokuar kuvendin. Ky detyrim vlen edhe për grupet tjera parlamentare që nuk janë grupe parlamentare të para”, deklaroi ai.
Ai theksoi se sa më shumë vonohet funksionalizimi i Kuvendit, pasojat për qytetarët do të jenë më të thella.
“Gjykata ka bërë të qartë se Kushtetuta, rregullorja dhe praktikat parlamentare përcaktojnë procedurën e konstituimit të Kuvendit. Asnjëherë nuk ka pasur votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Ka pasur votim të fshehtë dhe ka sipas ligjit për presidentin, për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, por nuk ka votim për kryetarin e kuvendit. Dhe kjo lidhet me atë që me datën 18 prill kur është mbajtur mbledhja e parë për kryetar të kuvendit, me kryetarët e partive, përfaqësuesit e partive politike ku është përcaktuar rendi i ditës dhe kryesuesi i seancës zotëri Dehari këtë rend të ditës duhet ta ekzekutojë me përpikëri dhe jo duke devijuar nga ajo seancë. Në ndërkohë sipas aktgjykimit, Kuvendi tashmë do të ishte dashur të të konstituohet, 30 ditë nga dita kur janë mbajtur zgjedhjet e fundit”, shtoi ai.
Edhe Amir Abrashi nga “Demokracia Plus” tha se do të vazhdojnë angazhimin deri në themelimin e institucioneve.
“Kriza nuk është juridike është politike dhe prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që partitë politike të gjejnë një rrugëdalje për krizën. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese jep një afat kohor prej 30 ditësh, por nuk tregon çka pas atij afati kohor. Prandaj ne si koalicion i organizatave të shoqërisë civile do të vazhdojmë edhe më tutje angazhimin deri në zgjidhjen e kësaj krize, deri në konstitutimin e kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë së kuvendit. Ajo çka është e rëndësishme po ashtu të potencohet, është që ne aktualisht në një situatë të ndryshimeve jashtëzakonisht të mëdha në sferën gjeopolitike dhe Kosova nuk ka luks që të vazhdojë të funksionojë pa një qeveri të mirëfilltë e pa kuvend funksional”, tha ai.


