Mos ikni…!

Prishtinë | 26 Shk 2023 | 00:18 | Nga Ekonomia Online

(Poezi nga Ragip Gjoshi)

Atëbotë, nuk ikëm
Atdheu ishte lodhur me dhunë,
Me mundësi ikje – nuk ikëm
Ju po ikni, shumë po ikni
Kah sh’pia u ka m’etë shikimi.

Ju s’po ikni vetëm!
Veç frymarrjes,
Edhe f’mijët po i merrni
Edhe një bjeshkë kujtimesh
E dij, iu ka mërzitur dikush
E përditë ua vret ëndrrën
E ju po e mërzitni Kosovën.

Mos ikni, ecni kujdesshëm
Qëndroni vertikalisht
Kosova nuk i do më ikjet
Ky vend thërret për ecje
Atdheu boll ka dhanë gjak
Tash kërkon djersën tuaj
Nuk jetohet në ikje…

Kur len di’lli deri në muzg
S’e shtron kush sofrën
Buzëqeshja e zogjve ka tretun
Ata fluturojnë përtej bjeshkëve
Atdheu numëron ikjet…

Rrini këtu, s’ ka vend ma t’ mirë!
Ju po ikni me rranjë
Kjo asht ikja më e dhimbshme
Pinjojt nuk mbi’në pa cung
Mos ikni!
Rrini k’tu!
Kosovës i duheni!
Kosova ju don!

Drenicë, 25 fror 2023

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme