Të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar listat e kandidatëve për deputetë të gjashtë subjekteve politike, në mesin e tyre edhe listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.
Në mbledhjen e KQZ-së, u bë e ditur se këto lista nuk certifikohen për shkak se këto parti nuk i kanë zëvendësuar emrat e kandidatëve që në listat sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit.
Pas moscertifikimit, këto gjashtë subjekte politike kanë dorëzuar tetë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por që deri tani ende nuk është marrë ndonjë vendim për to.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku.
“Ende nuk është marrë asnjë vendim, nesër është afati i fundit që të vendoset”, ka thënë shkurtimisht ai.
Ndërkohë, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë theksuar se do të presin vendimin e PZAP-it, për veprime të mëtutjeshme.
“Pas paraqitjes së ankesave të mundshme PZAP ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat të cilat paraqiten dhe sigurisht se ne si KQZ do të presim për vendimmarrjen e këtij institucioni” kishte thënë ditë më parë, zëdhënësi I KQZ-së, Valmir Elezi.
Ndërkohë janë certifikuar listat e subjekteve politike LDK, PDK, Lista serbe, Lista “Romani Iniciativa”, JGP, PREBK, SDU, Partia Balliste, IRDK, KDTP, PAI, NDS, VAKAT, FJALA e disa parti dhe lista tjera.
KQZ ka certifikuar listën e LDK-së dhe të PDK-së, pasi këto dy parti kishin zëvendësuar nga një kandidat që kishte qenë i dënuar. Po ashtu, KQZ ka certifikuar edhe Listën Serbe.
Theksojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, ndërsa subjektet politike kanë 10 ditë kohë për fushatë zgjedhore.
Garës për kryeministër të Kosovës i kanë hyrë Albin Kurti (LVV), Avdullah Hoti (LDK) dhe Enver Hoxhaj (PDK).