Kremlini po mundohet fort që ta dekurajojë opozitarin Alexei Navalny në përpjekjen e tij për t’u kthyer në Rusi për të nisur fushatën, pasi ta marrë veten nga helmimi. Lajmin e ka bërë të ditur një prej aleatëve më të ngushtë të Navalnyt.
Në kohën kur 44-vjeçari po merr veten në Gjermani, ku është trajtuar në spital pas helmimit me agjentin nervor Noviçok gjatë fluturimit në Siberi në gusht, liderit opozitar i janë ngrirë llogaritë bankare në Rusi dhe i është marrë banesa.
Kremlini e ka akuzuar vazhdimisht Navalnyn se po punon për CIA-n. Agjencia Federale e Lajmeve, e njohur për qasjen pro-qeveritare, ka raportuar se Navalny mund të shpallet fajtor për tradhti kombëtare.
Leonid Vollkov, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Navalnyt, ka thënë se nuk po lihet formë e presionit pa u përdorur nga shteti rus për ta dekurajuar kthimin e figurës kryesore opozitare të presidentit, Vladimir Putin.
Alexei Navalny ka thënë se do të kthehet në Rusi. Kremlini ka bërë të ditur se ai është i lirë që të kthehet në vendlindje. Moska zyrtare ka hedhur poshtë akuzat e Navalnyt se Putini kishte urdhëruar helmimin me agjentin nervor të përdorur në kohën e Bashkimit Sovjetik kundër kundërshtarëve politikë.