Dy persona u plagosën në Moskë të hënën nga copërat e një droni ukrainas të rrëzuar nga forcat ajrore të Rusisë mbi një shtëpi, tha guvernatori rus i rajonit.
Zyrtarët rusë thanë se Ukraina ndërmori një sulm me dron që kishte në shënjestër rajonet e Moskës dhe Kalugës. Sulmet ajrore pezulluan përkohësisht fluturimet në disa aeroporte ruse, por më vonë ato rifilluan.
Rusia dhe Ukraina kanë përdorur dronë për të goditur njëra-tjetrën dhe shpesh janë shkaktuar dëme në tokë nga rrëzimi i tyre.
Ndërkohë, autoritetet në Kiev thanë të hënën se në rajonin e Kharkivit në Ukrainën lindore po zhvillohen luftime të ashpra, ku forcat ukrainase po zmbrapsin sulmet ruse dhe kanë rimarrë nën kontroll disa territore në lindje gjatë javës së kaluar.
Ushtria ukrainase tha javën e kaluar se forcat ruse, të cilat filluan sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, po sulmonin zonat pranë Kupianskit, një qytet në rajonin e Kharkivit.
“Situata në zonat rreth Kupianskit është e vështirë. Armiku nuk po heq dorë nga planet për të ecur përpara dhe po dislokon forca shtesë”, tha të hënën në televizionit kombëtar zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes Hanna Maliar. /VOA