Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje po del të jetë një element i rëndësishëm për vendin, madje shpesh interesimi i madh e shtyn edhe Qeverinë e Kosovës të krijojë programe dhe projekte të reja, të cilat kanë për qëllim inkuadrimin e të rinjve në vendimmarrje.
Këtë po e pohon Koordinatori nacional për Gjeneratën e re, Avdullah Hasani, raporton Ekonomia Online.
Hasani tha se edhe tani për tani ka shumë këshilltarë politikë, si dhe drejtorë të departamenteve të ndryshme, të cilët janë të rinj në moshë e që shtrijnë funksione të ndryshme, qoftë në Zyrën e Kryeministrit apo edhe në ministri të ndryshme.
“Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje nga dita në ditë është në rritje e sipër, sidomos atë në nivelin komunal me numrin e asamblistëve që prijnë prej viteve të tjera, por edhe në nivelin politik, qendror si dhe në administratë, pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje, në borde, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në ministri të ndryshme është një rritje jashtëzakonisht e madhe dhe kjo është e dukshme, sepse edhe në Zyrën e Kryeministrit, por edhe në ministri, shumica e këshilltarëve politikë, drejtorëve të departamenteve, ka shumë prej tyre që janë në moshë të re”.
Hasani tha se Qeveria e Republikës së Kosovës u ka dhënë hapësirë të madhe projekteve dhe realizimeve të ndryshme, me qëllim të nxitjes së të rinjve për pjesëmarrje në vendimmarrje.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet ministrive të linjës, në veçanti Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqenies Sociale, Ministria e Tregtisë dhe ministritë tjera i kanë dhënë hapësirë të madhe përmes projekteve konkrete, sidomos politikave për punësimin e gjeneratës së re, politikave për aftësim profesional dhe projekteve të konkurrueshme përmes projekteve shkencore në arenën ndërkombëtare”.
Hasani përmendi edhe çështjen e mosliberalizimit të vizave, gjë që, sipas tij, po pengon lëvizjen e lirë të të rinjve për projekte të ndryshme.
“Problemi i liberalizimit të vizave po na pengon që të rinjtë tanë të lëvizin lirshëm, por në aspektin e studimeve në vendet e botës, kemi mjaft të rinj që po tregojnë suksese të mëdha. Ne i kemi mbështetur të rinjtë edhe përmes bursave, por ajo që po mendojmë që do të rritet në vitin 2019 është pjesëmarrja e të rinjve në konferenca ndërkombëtare”.
Kryeministri Ramush Haradinaj, sipas Hasanit, ka qenë shumë efektiv në mbështetjen e të rinjve rreth ideve dhe projekteve të tyre.
“Them të drejtën, para se të vij në Kryeministri nuk kam planifikuar që kryeministri do t’i japë kaq hapësirë gjeneratës së re, është për t’u përshëndetur vullneti i tij se çdo kërkesë dhe projekt të të rinjve ai ta mbështetë, dhe për këtë prijmë për nga numri i projekteve që i kemi mbështetur për të rinjtë, por edhe nivel të qeverisë të gjitha ministritë e linjës që merren me sektorin e rinisë janë udhëzuar nga kryeministri Haradinaj që të gjitha kërkesat e të rinjve sipas legjislacionit në fuqi, të plotësohen”.
Hasani tha se Qeveria aktuale prej fillimit të mandatit të saj u ka ofruar të rinjve mundësi praktike në nivel të duhur brenda institucioneve, i cili, sipas Hasanit, nuk ka ekzistuar në qeverinë e kaluar, raporton EO.
Hasani gjithashtu shtoi se Qeveria e Kosovës po përgatitet për ofrimin praktikave të ndryshme me pagesë edhe në sektorin privat.
“Vlen të përmendet se të rinjve të Republikës së Kosovës deri më tani nuk i’u është ofruar edhe mundësia e praktikave në nivel të duhur brenda institucioneve dhe ne atë e kemi rritur, jemi duke shikuar që përveç MPMS-së por edhe të gjitha Ministritë e sidomos ato të linjës në përgjithësi, të ofrojmë praktikë me pagesë për të rinjtë dhe punësim në projekte sezonale ose në projekte konkrete të cilat janë 6 muaj deri në 12 muaj brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës përmes zyrës së koordinatorit nacional për gjeneratën e re, po synojmë që ta rrisim prezencën e praktikave me pagesë edhe në sektorin privat, me përkrahje të organizatave ndërkombëtare”.