Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi ka thënë se mosmbajtja e seancave gjyqësore për disa muaj rresht, avokatëve u ka shkaktuar probleme në të hyra.
Ejupi në një intervistë për Ekonomia Online, ka sqaruar se janë mbajtur vetëm seancat e natyrës urgjente si dhuna në familje dhe çështjet e paraburgimet.
“Duke qenë në dijeni se që nga 13 marsi e deri në fund të gushtit seancat nuk janë mbajtur me përjashtim të atyre të natyrës urgjente siç ka qenë dhuna në familje dhe çështjet e paraburgimit, por si pandemi ka paraqitur problem shumë të madh në profesionin e avokatisë dhe avokatët kanë pasur probleme të shumta, do të thotë kanë pasur shpenzime siç janë çështja e qirasë dhe çështjet tjera që ne jemi në dijeni, ndërsa të hyra nuk ka pasur pothuajse fare”.
Mes tjerash kryetari Ejupi tha që janë munduar që të respektojnë vendimet e Qeverisë dhe që të gjitha shërbimet janë ofruar, madje avkoatët kanë punuar me leje të vecanta.
“Çështja e stafit, ne kemi menaxhuar gjithmonë duke respektuar vendimet e Qeverisë që në zyre të jetë vetëm nga një punëtorë dhe të përdoren pajisjet, për mbrojtjen nga Covid-19 mirëpo e kemi menaxhuar shumë mirë dhe nuk kemi pushuar për asnjë ditë pune duke qenë në dijeni se avokatët kanë pasur nevojë për administratën e odës”.
“Ne jemi kujdesur që gjatë kohës së pandemisë të nxjerrim leje të veçanta që avokatët të kenë mundësi të ofrojnë shërbimin e tyre në interesat e qytetarëve, edhe pse ka qenë kohë e pandemisë, avokatët nuk janë ndalur në ato raste kur kanë pasur tu ofrojnë ndihmë qytetarëve edhe pse kanë qenë në rrezik me shëndetin. Asnjë nga seancat nuk është shtyrë, edhe nëse ka pasur nevojë të ketë zëvendësime”, theksoi tutje ai
Ai thotë se ka pasur edhe avokat të infektuar dhe që kanë vdekur nga Covid- 19, por kanë pasur të infektuar edhe punëtorë te Adminstratës së OAK-së.
“Brenda stafit fatmirësisht kemi pasur numër të vogël të infektuarve, mund të themi se dy deri tani që kanë marrë pushime për shkak të Covid-19, ndërsa pjesa tjetër kemi kaluar pa telashe të mëdha, duke e pasur parasysh që administrata ka një punë vërtetë të rëndësishme pasi që edhe numri i avokatëve në nivel republike është numër katërshifror. Tani për tani Oda ka 1 mijë e 111 anëtarë”.