‘Mosnjohja e Kosovës nga 5-shja, dëmton politikën e jashtme të BE’së’

Prishtinë | 07 Sht 2023 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Kolumnisti dhe asistenti kërkimor nga Spanja, saktësisht Barcelona, Juan García-Nieto, në shkrimin e tij të botuar së fundmi flet për Kosovën dhe domosdoshmëri e njohjes nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Ai thotë se duke refuzuar me kokëfortësi që Kosova të njihet edhe nga 5-shja e BE’së, dëmton politikën e jashtme të BE’së në Ballkan dhe perspektivat e Kosovës për shtetësi, shkruan Gazeta Metro.

García-Nieto thotë ndër të tjera se njohja e Kosovës si shtet sovran është një politikë e shëndoshë jo vetëm nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, por edhe si çështje e realpolitikës.

Tutje ai thekson se 5-shja e famshme e BE’së që nuk e ka njohur Kosovën ende, bazohet në argumentin se pavarësia e Kosovës nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por në fakt kjo nuk qëndron thekson ai, pasi që në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e konsideroi pavarësinë e Kosovës si të paligjshme, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e pesë vendeve mos-njohëse.

“Megjithatë, fakti që pesë anëtarë të BE-së kanë një politikë të qartë të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës është një pengesë drejt një qëndrimi të përbashkët të plotë të BE-së. Këto pesë qeveri e arsyetojnë qëndrimin e tyre duke argumentuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, një vendim i vitit 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e konsideroi pavarësinë e Kosovës si të paligjshme, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e pesë vendeve”, shkruan Juan García-Nieto.

Duke u nisur nga kjo, García-Nieto, thotë zakonisht motori i politikës ndërkombëtare janë realitetet politike dhe jo ligjet.

“Por ligji nuk është e vetmja gjë që luhet këtu. Realitetet politike, jo ato ligjore, janë zakonisht motori i politikës ndërkombëtare. Dhe fakti është se Kosova është një shtet për të gjitha synimet dhe qëllimet, për zemërimin e madh të qeverisë serbe. Kosova ka kuvendin dhe institucionet e saj shtetërore, dhe euron e ka adoptuar si monedhë që në vitin 2002. Shteti ballkanik njihet gjithashtu nga shumica e qeverive botërore (117 nga 193 shtete në OKB) dhe gëzon anëtarësim të plotë në disa organizata ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata Botërore e Doganave. Po, Kosova tashmë është një shtet de facto.” thotë ai tutje.

Ai kështu argumenton se njohja e Kosovës si shtet sovran është një politikë e shëndoshë jo vetëm nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, por edhe si çështje e realpolitikës.

Ndërsa e thekson se pesë anëtarët e BE’së që refuzojnë të njohin Kosovën nuk po i bëjnë asnjë nder vetes duke shkuar kundër një valë globale.

“Edhe Serbia me ngurrim e trajton Kosovën si një shtet de fakto (duke hyrë në negociata, duke nënshkruar traktate dhe duke u zotuar të mos ndërhyjë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE) – dhe ra dakord të normalizojë marrëdhëniet me fqinjin e saj jugor në mars 2023”, shkruan García-Nieto.

Ai tutje flet edhe për Rusinë, duke thënë se e njeh në heshtje shtetësinë e Kosovës edhe pse tradicionalisht është sponsori më i rëndësishëm i Serbisë në rajon.

“Rusia, tradicionalisht sponsori më i rëndësishëm i Serbisë në rajon, e njeh në heshtje edhe shtetësinë e Kosovës. Ashtu si realitetet politike i tejkalojnë konsideratat ligjore, veprimet zakonisht kanë më shumë rëndësi se fjalët në politikën ndërkombëtare. Dhe, me gjithë retorikën nacionaliste dhe goditjen e gjoksit që vjen nga Beogradi, veprimet serbe sinjalizojnë se qeveria e saj e pranon se sovraniteti i Kosovës është një fakt i kryer”, thotë García-Nieto.

Duke folur për domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga 5-shja e BE’së, ai thotë se është në interesin e BE’së që të shkojë drejt një konsensusi të plotë për çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai tutje flet për arsyen e famshme tashme të këtyre vendeve që se njohin Kosovën që si argument i kanë arsyet e brendshme politike, mirëpo sipas García-Nieto, njohja e Kosovës nuk do të ndryshonte

“Ndërsa ata citojnë publikisht arsye ligjore për të mbështetur politikën e tyre, dihet se pesë vendet kanë arsye të brendshme për të mos njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, e vërteta është se pranimi i Kosovës si shtet sovran ka shumë pak gjasa të ndryshojë shumë nga peizazhi i brendshëm në asnjërin nga pesë vendet. Në fund të fundit, rrethanat e pavarësisë së Kosovës dhe shkaqet që çojnë në të janë në mënyrë dramatike të ndryshme nga, për shembull, pikëpamjet pro-pavarësisë të një pjese të popullsisë katalane në Spanjë”, argumenton García-Nieto në kolumnen e tij.

Të ngjashme