Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Kosovë në vazhdën e Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave Autoriale ka mbajtur një panel diskutues me temën “Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta dhe implementimi i tij në raport me mediat”.
Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se janë bërë përpjekje dhe ua kemi bërë me dije mediave që e drejta e autorit dhe kompenzimi është e drejtë ligjore e njohur edhe me kushtetutën e vendit tonë, raporton Ekonomia Online.
“Ligji për të Drejtat Autoriale është marrëveshje historike, sepse për herë të parë në Kosovë është nënshkruar një marrëveshje për menaxhim kolektiv për të drejtat e autorit”, tha Kashtanjeva.
“Qëllimi i këtyre të drejtave është se këto të drejta janë të drejta të njeriut dhe janë të drejta që kur një person ose krijues krijon një vepër, ai në një aspekt e krijon një person që nuk ka ekzistuar më herët”, shtoi Kashtanjeva.
Kaltrina Krasniqi, regjisore e filmit dhe producente, tha se shkaku i mosnjohjes së ligjit të së drejtës së autorit Kosova ka mbetur prapa në bashkëpunime me kinematografitë ndërkombëtare.
“Kinematografisë në Kosovë për arsye të ndryshme iu janë hapur dyert për bashkëpunime në botë dhe duke pasë ligjin ne bllokohemi në procese me ndërkombëtarë për shkak të mosnjohjes së ligjit”, tha ajo.
Florent Boshnjaku, kryetar i shoqatës së menaxhimit kolektiv të të drejtave në APIK, tha se ka luftuar vazhdimisht për të drejtat e autorit dhe, sipas tij, është mëkat kur veprat keqpërdoren nga mediumet e ndryshme dhe nuk jepet përgjegjësi për të drejtat e autorit. Ai tha se “humbja që iu është bërë është e pakthyeshme dhe autorët janë humbës të kësaj”.
“Është humbje e madhe jo vetëm financiare, por edhe morale kur e sheh që puna jote askush nuk të pyet ose së paku një telefonatë ose marrëveshje, por vazhdimisht është keqpërdorë, është marrë për përdorim dhe kërcënohesh”, shtoi Boshnjaku.
Nimon Racaj, zyrtar ligjor në Komisionin e Pavarur të Mediave, tha se e drejta e autorit që nga themelimi i KPM-së ka qenë sfida kryesore në rregullim e sipër, raporton EO.
“Arritja e marrëveshjes është kusht që mediat duhet ta plotësojnë dhe duhet siguruar marrëveshje me autorët për të transmetuar në mediume përmbajtjet e tyre”, tha Racaj.
Racaj shtoi se muzika vazhdon të jetë problem në mediume, sepse mediumet kanë përdorur krijimtaritë e artistëve pa marrëveshje me ta dhe nuk është dhënë përgjegjësi për të drejtën e autorit.