IHMK-ja përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në pesë ditët e ardhshme në Kosovë do të mbizotërojë mot me diell dhe me vranësira të shpërndara.
“Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Mëngjeset do të jenë me ngrica dhe mjegull, ndërsa gjatë ditës kryesisht me diell. Kjo gjendje meteorologjike do të vazhdojë deri ditën e premte, ku më tej masat e ajrit me origjinë nga juglindja do ta ndryshojnë këtë situatë, duke krijuar kushte për vranësira të dendura dhe reshje shiu , kurse në vise të larta edhe reshje bore”, thuhet në komunikatë.
IHMK-ja shton se shtypja e lartë atmosferike do të mbetet e qëndrueshme edhe për 4 ditët e para të javës vijuese. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5 deri -1 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 6-10 gradë Celsius.
Të premten kur parashihet të ketë reshje edhe temperaturat minimale do të rriten por që maksimalet do ti ruajnë vlerat e ditëve paraprake. Do të fryjë erë nga verilindja dhe jugëperëndimi me shpejtësi 1-7m/s.