Me rastin e 33-vjetorit të rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, janë bërë homazhe pranë vendin të rënies së tyre në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Nderime bënë familjarë e bashkëpunëtorë të tyre, me ç’rast u vlerësua lartë kontributi për çlirim.
Vëllai i heroit Fahri Fazliu, Bahriu falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këto homazhe.
“Në emër të familjes Fazliu dhe Zhitia, faleminderit të gjithëve që kanë gjet kohë për të përkujtuar dëshmorët e lirisë, Afrimit dhe Fahrisë”, tha ai.
Motra e Afrim Zhitisë, Sadetja e kujtoi momentin kur e kuptuan për rënien e tyre. Ajo përmendi edhe kohën sa Zhitia e Fazliu qëndronin në ilegalitet.
“Isha në Prishtinë atë ditë dhe po i dëgjoja lajmet dhe mora vesh që kanë rënë dy të rinj pas një rezistence të gjatë koshin rënë Fahri Fazliu dhe një person tjetër i paidentifikuar. Pastaj në lajme po dëgjoja se personit të paidentifikuar iu është gjetur revolveri ‘valter M38’, tipit vjetër dhe më është kujtuar që ka patën treguar, dhe kështu ai personi i paidentifikuar ishe Afrim Zhitia”, tha ajo.
“Në familjen tonë A dhe Zh-ja jonë ka qenë rezistenca kundër pushtuesit dhe këtë na kanë lënë trashëgimi gjyshërit pa e zgjedhur ne. Veprimtaria e Afrimit ka filluar qysh herët sa ishte në shkollën fillore, por në mënyrë më intensive është marrë që nga shkolla e mesme dhe pastaj kur ka dalë nga burgu ka qenë udhëheqës i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe në po këtë vit, është vit jubilar, 40-vjetori i themelimit dhe ribashkimit të gjitha organizatave ilegale”, tha ajo.