Motra e Isa Xhemajlit aktiviste e PDK-së

Prishtinë | 08 Dhj 2016 | 11:20 | Nga

Kandidati i Nismës për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj, nuk e ka përkrahjen politike të familjes së tij.
Motra e tij, Hyrije Xhemajlaj, është kryetare e Gruas Demokratike të PDK-së në Drenas dhe njëherësh drejtoreshë për shërbime publike në këtë komunë.

Familja e gjerë e kandidatit të Nismës është votuese e rregullt e PDK-së dhe besimin e tyre nuk ka mundur t’ua ndryshojë as kandidatura e familjarit të tyre për të parin e kësaj komune.

Kandidatura e tij, thjesht e ka pezulluar aktivitetin politik për PDK-në, siç thonë ata vetë, për të mos krijuar huti në terren, raporton lajmi.net.

E pyetur për balotazhin në mes të PDK-së dhe Nismës në Drenas, motra e kandidatit të Nismës për kryetar të Drenasit, për lajmi.net ka thënë se vazhdon të jetë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe falënderon kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, si dhe kandidatin Ramiz Lladrovci, për përkrahjen dhe mirëkuptimin e treguar, që ajo mos te jetë aktive në këtë aktivitet zgjedhor.

“E falënderoj kryetarin Kadri Veseli dhe kandidatin Ramiz Lladrovci për përkrahjen dhe mirëkuptimin që unë të mos jem aktive në këtë aktivitet, mirëpo vazhdoj të jem pjesë e Partisë Demokratike”, ka thënë Hyrije Xhemajlaj, motra e kandidatit të Nismës për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj.

Kryetarja e Gruas Demokratike në Drenas, meqë si motër e kandidatit të Nismës ka zgjedhur të mos jetë aktive në këtë garë politike kundër vëllait të saj, ka thënë se personalisht e ka propozuar një anëtare të forumit të gruas që të vazhdojë aktivitetin politik gjatë kësaj kohe.

“Unë personalisht e kam propozuar një anëtare të kryesisë që të vazhdojë me aktivitetin e gruas, gjë për të cilën shtabi zgjedhor ka marrë vendim. Nuk kam dashtë të krijojë huti në terren”, ka thënë ajo.

Aktivitetit të saj politik, Hyrije Xhemajlaj, planifikon t’i rikthehet pasi të përfundojë gara elektorale ndërmjet kandidatit të subjektit të saj politik, Ramiz Lladrovci, kundër të cilit në balotazh garon vëllai i saj, Isa Xhemajlaj, kandidat i Nismës për Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme