Jose Mourinho e ka etiketuar Luke Shaw në mesin e lojtarëve që duhet të kishin dalë përpara për të gjuajtur një penallti për Anglinë në vend të Bukayo Sakas kundër Italisë në finalen e Euro 2020.
Tre Luanët pësuan disfatë zemërthyese ndaj Azzurëve në Wembley të dielën në mbrëmje me Marcus Rashford , Jadon Sancho dhe Sakan që dështuan nga pika e bardhë.
Gareth Southgate kishte futur Rashfordin dhe Sanchon nga banka rezervë në minutat e fundit të kohës shtesë posaçërisht për ekzekutimin e penalltive.
Pasi Rashford goditi shtyllën dhe gjuajtja e Sanchos u ndalua nga Gianluigi Donnarumma, e fundit iu la 19-vjeçarit Saka për të mbajtur gjallë shpresat e Anglisë, me portierin italian që bëri një tjetër pritje të shkëlqyeshme për të vulosur triumfin.
Mourinho ka thënë në talkSPORT: ‘Në këtë situatë, ku ishte Raheem Sterling? Ku ishte John Stones? Ku ishte Luke Shaw? Pse Jordan Henderson apo Kyle Walker nuk qëndruan në fushë?”
‘Sepse në të vërtetë është shumë, shumë e vështirë për Marcus Rashford dhe Jadon Sancho të futen dhe të marrin një penallti pas një prekje të topit”.
‘Por, që Saka të ketë mbi supet e tij fatin e një vendi … Unë mendoj se është shumë”.
“Ne mund të flasim për ditët e mëparshme dhe se si ata ishin të mahnitshëm në goditjen e penalltive, por problemi me penalltitë është se dallon të gjuash një në stërvitje dhe një tjetër ë ndeshje, dhe në ato momente kërkohet eksperiencë”.
“I gjori Saka, thjesht më vjen shumë keq për të”, ka shtuar më tej Special One.
Anglia nuk e ka fituar asnjëherë Kampionatin Evropian dhe mbrëmë kishte shansin, mirëpo e lëshoi atë edhe pse kishin kaluar të parët në epërsi, pikërisht me golin e Luke Shaw.