Mourinho pasi u prezantua zyrtarisht si trajner i Real Madridit: Jam rikthyer në shtëpi

Prishtinë | 18 Gus 2026 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Real Madridi e prezantoi sot portugezin José Mourinho si trajnerin e ri të skuadrës, në një ceremoni të pazakontë të zhvilluar me dyer të mbyllura.

Publiku mundi ta ndiqte prezantimin vetëm përmes disa imazheve të transmetuara nga kanali zyrtar i Real Madridit.

“Jam rikthyer në shtëpi”, tha portugezi, teksa qëndronte përkrah presidentit Florentino Pérez duke e nënshkruar kontratën e tij dhe duke pozuar për një fotografi me fanellën ku ishte i shkruar emri i tij, përcjell “Gazeta Express”.

Ky është prezantimi i parë në një verë që i ka sjellë gjashtë lojtarë të rinj në klub, përveç trajnerit Mourinho.

Çdo ardhje e re do ta ndjekë të njëjtin skenar: ceremonitë do të zhvillohen me dyer të mbyllura, pa tifozë dhe pa media, ndërsa në sallë do të jenë vetëm zyrtarët e klubit dhe personat e afërt me të sapoardhurin.

Këto ceremoni do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

Të mërkurën është planifikuar prezantimi i lojtarit të parë, ndërsa Mourinho do ta zhvillojë konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i Real Madridit të premten.

Më pas, ai do të udhëtojë drejt Barcelonës, ku do ta zhvillojë ndeshjen e tij të parë në kampionat kundër Espanyolit të shtunën.

Mourinho ka nënshkruar kontratë me Realin për tri sezone, deri më 30 qershor 2029.

Prezantimi i trajnerit u zhvillua në ambientet e Real Madrid City, ku Florentino Pérez e mirëpriti Mourinhon.

Pasi e nënshkroi kontratën, Mourinho e mori një kopje të stadiumit të Real Madridit, një orë dhe një fanellë me emrin e tij.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe presidentit i nderit i klubit, José Martínez Pirri, sipas njoftimit të shkurtër të publikuar në faqen zyrtare të klubit.

Të ngjashme