MPB priti në takim Komisionin Parlamentar për Siguri Kombëtare të Republikës së Shqipërisë Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani së bashku me zëvendësministrin, Bardhyl Dobra dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti, ka pritur në takim Komisionin Parlamentar për Siguri Kombëtare i Republikës së Shqipërisë i drejtuar nga Kryetari, Nasip Naço.
Në këtë takim u diskutua rreth çështjeve të sigurisë për të dyja vendet, thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe mbi zbatueshmërinë e këtyre marrëveshjeve.
Në një fjalë rasti zëvendësministri Gashani ritheksoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar që bashkë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë të angazhohen maksimalisht në luftim të krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, migrimit të paligjshëm dhe fenomeneve të tjera negative që cënojnë sigurinë e shtetasve tanë nga dy anët e kufirit.
Në fund të takimit të dyja palët u dakorduan që bashkëpunimi mes dy Ministrive dhe agjencive vartëse duhet të intensifikohet edhe më shumë dhe roli i komisioneve mbikqyrëse të jetë jo vetëm monitorues por edhe këshillues në mënyrë që të garantojmë siguri dhe stabilitet në vendet tona.