MPB reagon pas sulmit ndaj Guriçit: Serbia nuk ka ndryshuar qasjen kundër serbëve lojalë ndaj institucioneve të Kosovës

Prishtinë | 28 Jan 2024 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka dënuar ashpër sulmin ndaj kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Gorski Guriç.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur vetura e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Guriç.

“Ky sulm ndaj z. Guriç dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar qasjen dhe sulmet e saj kriminale ndaj qytetarëve serbë që janë lojalë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky akt është në vazhdën e djegieve të njëpasnjëshme të veturave të qytetarëve serb që bashkëpunojnë apo angazhohen në institucionet e Republikës sonë”, thuhet në reagimin e MPB-së.

“Sulmet e tilla të Serbisë që targetojnë qytetarët serbë që angazhohen në institucionet tona, synojnë që të krijojnë pasiguri tek qytetarët tanë dhe të përcjellin edhe mesazhin e fatit të atyre që duan të angazhohen në institucionet tona”.

MPB fton Policinë e Kosovës për angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti dhe sjelljen e kryesve para drejtësisë. “Institucionet tona do të vazhdojnë të jenë të hapura për angazhim dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”.

Të ngjashme