Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dhënë detaje për arrestimin e sotëm të dy zyrtarëve të UNMIK-ut.
Ai ka thënë se MPJ-ja do ta trajtojë rastin bazuar në të drejtën ndërkombëtare, shkruan lajmi.net.
Pacolli po ashtu ka bërë të ditur se MPJ e ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë me ta lidhur me rastin.
“Sot, gjatë operacionit policor në veri të Kosovës, policia ka arrestuar një zyrtar ndërkombëtar të UNMIK-ut (shtetas rus) dhe një zyrtar lokal të UNMIK-ut.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do ta trajtojë çështjen bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Policia e Kosovës ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për detajet e ngjarjes.
Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situaten e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikade”, ka thënë ai.
E njëri prej të arrestuarve është liruar gjatë ditës së sotme.
UNMIK-u më herët gjatë ditës përmes një komunikate për media ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të këtyre dy zyrtarëve.