Ministria e Punëve të Jashtme është deklaruar për herë të parë për raportimet e medieve serbe se Republika e Burundit e ka tërhequr njohjen.
Përmes një njoftimi për media, MPJ ka theksuar se deklaratat e tilla janë politikë e Serbisë që ëprmes propagandës me lajme dezinformuese të minoj forcimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme ka përcjellur me vëmendje të shtuar raportimet e mediave dhe deklaratave respektive nga autoritetet e Beogradit zyrtar për kinse “tërheqje të njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Republika e Burundit”. Ministria e Punëve të Jashtme ri-thekson qëndrimin e mëparshëm se raportimet dhe deklaratat e tilla janë vazhdimësi e politikës së Serbisë me mjete të betejës hibride, që përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në propagandën Destruktive, Dezinformuese dhe Dashakeqëse me lajme të rreme dhe krijimin e narracioneve të paqena, të cilat qëllim parësor kanë minimin e forcimit të subjektivitetit dhe integrimit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës” thuhet në njoftim.
Tutje, MPJ ka sqaruar se nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga Burundi që mund të konsiderohej tërheqje e njohjes.
“Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga Republika e Burundit, që do të mund të konsiderohej në kundërshtim me Notën Verbale për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Republikës së Burundit më datën 16 Tetor, 2012. Ministria e Punëve të Jashtme ri-përsëritë qëndrimin se E Drejta Ndërkombëtare nuk e njeh aktin politik të të ashtuquajturës “tërheqje të njohjes”, andaj çdo raportim dhe deklarim përkitazi me këtë çështje duhet të shikohet nga këndvështrimi i politikave dhe veprimeve të 3D-ve të sipërpërmendura nga ana e Serbisë në raport me Kosovën” thuhet në komunikatë.
Ministria e Punëve të jashme ri-kujton se rasti me shtetin e Guinea-Bissau ishte dëshmia më e mirë e dekonspirimit të propagandës dhe synimeve serbe për manipulim me emra shtetesh dhe falsifikim vulash zyrtare