MPJ dënon sjelljet e Beogradit ndaj qytetarëve të Kosovës

Prishtinë | 14 Gus 2018 | 17:25 | Nga

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, po përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit të ndalesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, nga autoritetet e Beogradit, të cilët përpos që me arrogancën më të madhe po i shkelin parimet themelore të fqinjësisë, si dhe obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit, njëkohësisht përbëjnë shkelje të lirive dhe të drejtave fundamentale evropiane për lëvizje të lirë dhe për paprekshmërinë e dinjitetit human.

Më këtë lloj sjellje klandestine, me justifikimet nga më të ndryshme, qofshin ato të natyrës teknike apo procedurale, autoritetet e Beogradit edhe një herë, po dëshmojnë se vazhdojnë të funksionojnë sipas praktikave dhe mentalitetit Millosheviqian.

Si të tilla, informacionet dhe justifikimet e ofruara deri tani nga autoritetet e Beogradit, nuk tregojnë asgjë, përveç se ushtrim i një fushate obstruktive ndaj qytetarëve dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Së këndejmi, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ri-thekson se institucionet e Republikës së Kosovës, refuzojnë kategorikisht këtë sjellje dhe këtë impuls të Beogradit, dhe në vijë me praktikat e brendshme dhe ato ndërkombëtare, do të shqyrtojë të gjitha veprimet ligjore dhe institucionale kundrejt këtij mentaliteti dhe kësaj sjellje të papërgjegjshme të Beogradit.

Në linjë me këtë përkushtim, Ministria e Punëve të Jashtme tashmë i ka komunikuar institucioneve të Bashkimit Evropian, shqetësimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe se në rast se nuk ndërhyhet shpejtë në korrigjimin e Beogradit, nga ana e tyre, detyrohemi të veprojmë sipas masave ligjore në dispozicion.

Njëkohësisht, Ministria e Punëve të Jashtme është në proces të informimit me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me arrogancën e papërmbajtshme të Beogradit, duke e bërë të qartë se kjo nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, si dhe pengon rrugëtimin evropian të rajonit, për të cilin Beogradi në vazhdimësi shfaqet destruktiv.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme