Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se Kryeshefi i KRU Gjakova, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari.Në një përgjigje për Gazetën Express, MPJ ka thënë se ai është ndaluar më 19 shkurt, në pikëkalimin kufitar “Gyushevo”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K) është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar “Gyushevo””, ka thënë MPJ.
L
I njëjti është ndaluar pasi ka qenë në kërkim nga Interpoli.
“Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasiqë i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”, thuhet në përgjigje.
Gazeta Express ka kontaktuar sot me zëdhënësen e KRU “Gjakova”, Dafina Syla-Dina, e cila ka thënë se Krasniqi është në pushim vjetor. Sipas saj, ai ka kaluar në pushim vjetor qe “5-6 ditë”, derisa tha se nuk ka informacione tjera për të.
“Kryeshefi është t’u e shfrytëzu pushimin vjetor. Nuk kam informacion më shumë për këtë çështje. Është duke u shfrytëzu pushimin vjetor, nuk ka pse me u lajmëru. Nuk kam informacion zyrtar. Ka nja 5-6 ditë.”, ka thënë Syla-Din.
“Reporteri” ka raportuar sot se i njëjti është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.
Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tre vepra të ndryshme penale.
Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar një muaj më herët, me 16 janar 2024.