MPJ: Serbia po keqpërdor dialogun për të bërë agresion diplomatik ndaj Kosovës, BE-ja t’ia tërheq vërejtjen

Prishtinë | 04 Nën 2018 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Përmes një deklarimi për media, Ministria e Punëve të Jashtme i vlerëson të papranueshme, ato që i ka cilësuar si veprime destruktive, qasje dashakeqëse dhe standarde të dyfishta, që shteti fqinj Serbia po i përdorë në marrëdhëniet me shtetet njohëse dhe jo-njohëse të Republikës së Kosovës.

Sipas MPJ-së, Serbia është duke shfrytëzuar, keqpërdorur dhe manipuluar me dialogun për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve me qëllimin parësor për të bërë agresion diplomatik kundrejt sovranitetit dhe imazhit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme nënvizon qëndrimin zyrtar se Republika e Kosovës ka hyrë në dialog me shtetin fqinj – Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së, mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe shteteve të tjera aleate dhe partnere me vullnetin e mirë dhe besimin e plotë për të përmirësuar marrëdhëniet në mes dy shteteve dhe popujve nëpërmjet arritjes së Marrëveshjes së Detyrueshme Ligjore, e cila do të duhej të përfundonte me njohjen reciproke në mes dy shteteve dhe anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në letrën e MPJ-së dërguar mediave, transmeton Koha.net. “Për Republikën e Kosovës, dialogu me vullnetin e mirë dhe në mirëbesim ka qenë dhe mbetet mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve, ndërtimit të besimit në mes dy shteteve dhe dy popujve, promovimit të paqes afatgjate, forcimit të stabilitetit rajonal dhe rritjes së prosperitetit për të gjitha popujt, por ai nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet si instrument qëllimlig, mjet destruktiv dhe metodë manipuluese nga shteti fqinj, për dëmtimin dhe rrënimin e imazhit të shtetit të ri në marrëdhëniet me jashtë dhe paralelisht me këtë rrezikimin e interesave nacionale të shtetit dhe shtetasve të Kosovës”, thuhet më tej aty.

Ministria e Punëve të Jashtme, përmes kësaj letre, konsideron se veprime të tilla nga lidershipi i shtetit fqinj duket se kanë qëllime të lëkundin edhe disponimin pozitiv rajonal për t’i dhënë hapësirë veprimeve gjeopolitike, që kultivojnë shpërputhje me vullnetin rajonal për integrim në BE, NATO, anëtarësimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL dhe liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetësues të dialogut, ShBA-së si mbështetës të plotë të tij dhe shteteve të tjera aleate dhe partnere, që të reagojnë menjëherë dhe t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj kundrejt sjelljeve dhe veprimeve të tilla, që janë në kundërshtim të plotë me zotimin e shprehur për bashkëpunim rajonal, përkushtimin për integrim në BE dhe vullnetin e shprehur deklarativ për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve”, thuhet në letrën e MPJ-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme