Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë, dhe Grupi për Hulumtimin e Politikave Ballkanike, të hënën nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në mbështetje të kapaciteteve dhe efikasitetit të Kabinetit të Ministres, për zbatimin e një agjende reformuese dhe përparimit të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës.
Memorandumi i nënshkruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ambasadori norvegjez, Jens Erik Grondahl, si dhe drejtori ekzekutiv i Grupit për Hulumtimin e Politikave Ballkanike, Naim Rashiti, ka për qëllim forcimin e politikave, ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet e tjera.
Sipas zëvendësministrit Ahmeti, me këtë Memorandumi Bashkëpunimi, palët pajtohen të hyjnë në një bashkëpunim që ndër të tjera do të përfshijë edhe mbështetjen për rekrutim të ekspertëve në fushat me interes për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë së Republikës së Kosovës, duke përfshirë bashkëpunimin me institucionet vendase dhe ndërkombëtare.
Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë do të ofrojë për ekspertët e kontraktuar mbështetjen financiare, derisa palët nënshkruese do të krijojnë komunikim të rregullt për të rishikuar, vlerësuar dhe forcuar bashkëpunimin dhe zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili nga sot, do të mbetet në fuqi deri në dhjetor të vitit 2023.