Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJD), ka kërkuar nga qytetarët që janë duke udhëtuar për në Kosovë, mos të shkojnë përmes Serbisë.
MPJD-ja ka kërkuar që bashkëatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje, t’i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë.
“Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lutemi të ndiqni faqen e Policisë së Kosovës rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer nga njësia speciale policore e Serbisë brenda territorit të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka deklaruar se pretendimet se ata ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë, nuk janë të vërteta.
Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.
Kelani ka thënë se njësitet e tjera të policisë kanë shkuar për asistencë për ndihmë të tre zyrtarëve policorë, por me të shkuar në vend të ngjarjes, ata nuk janë parë më aty.
Ai e ka demantuar raportimin nga Serbia se zyrtarët policorë janë pjesë e njësisë speciale, sipas tij, ata janë vetëm patrullues kufitarë.
Sipas tij, ata kanë qenë në një pikë statike për ta penguar kontrabandën nga Serbia.