Republika e Kosovës i bashkohet thirrjes së bashkësisë
ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimit Evropian dhe Këshillit të të Drejtave të Njeriut, drejtuar
autoriteteve bjelloruse për t’i dhënë fund dhunës dhe shtypjes, për t’i liruar
të gjithë të arrestuarit dhe të burgosurit politikë, për ta respektuar lirinë e
medias dhe shoqërinë civile dhe për të filluar një dialog kombëtar
gjithëpërfshirës që çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Me këtë rast, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sh.S. Meliza
Haradinaj-Stublla, tha: “Republika e Kosovës qëndron përkrah SHBA-së dhe
bashkësisë ndërkombëtare në mbështetjen e qëllimeve paqësore dhe demokratike të
popullit bjellorus. Ne kërkojmë nga qeveria e Lukashenkos që t’i lirojë të
gjithë personat e ndaluar padrejtësisht, t’i japë fund bllokadës në internet në
të gjithë vendin, të zhvillojë bisedime me anëtarët e opozitës politike dhe të
zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme që duhet të monitorohen nga
vëzhguesit ndërkombëtarë”.