Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës reagon ashpër ndaj deklaratave tendencioze të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ish ministër dhe bashkëpunëtor i afërt i Sllobodan Millosheviqit, i cili sot kërcënoi hapur me luftë të re në Ballkan të gjitha shtetet fqinje të rreshtuara me NATO-n, duke thënë se Serbia duhet të vazhdojë forcimin ushtarak.
Kosova nuk është as Nagorno-Karabakh, as konflikt i ngrirë. Reagimi dhe krahasimet e qëllimshme të Vuçiqit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit. Dihet botërisht pjesëmarrja e forcave të rregullta ushtarake serbe (përfshirë snajperistë) në Bjellorusi. Ushtarët e Serbisë janë parë të përfshirë aktivisht edhe në konfliktin në Ukrainë dhe është raportuar ndërkombëtarësh për përdorimin e armatimit serb në konfliktin Azerbajxhan-Armeni.
Është evidente dhe e qartë se pas imponimit të Rusisë në luftimet e rajonit të Nagorno- Karabakh, dhe paraqitjes së saj si “ndërmjetësuese për zgjidhjen e këtij konflikti nën sistemin “përçaj dhe sundo”, Rusia dhe Serbia si furnizueset kryesore me armë në këtë konflikt të armatosur po tentojnë të tërheqin paralele të tillë me qëllim të arsyetimit të militarizimit dhe armatimin e ushtrisë së saj me armatim jokompatibil me NATO.
Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, në kundërshtim me vlerat evropiane e universale, dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në Kosovë vitin 1999.
Kosova do të shtojë përpjekjet për fillimin e anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike NATO, dhe tek pastaj do të duhej të vazhdojë dialogun me Serbinë!