Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përshëndetë fillimin operimit të pavarur energjetik të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, si dhe fillimin e operimit praktik, të zonës së re rregulluese energjetike, Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri.
Kjo është një arritje e madhe për Kosovën, si në planin e brendshëm e gjithashtu edhe në atë të përmbushjes së sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, në fushën e energjisë.
Themelimi dhe funksionalizimi i bllokut të mëvetshëm të kontrollit energjik Kosovë-Shqipëri, do të forcoj bashkëpunimin energjetik dhe ekonomik kombëtar, si dhe do të garantojë më shumë siguri të operimit dhe balancimit të të dy sistemeve elektro-energjetike.
Me këtë rast, Kosova dhe Shqipëria, do të kenë mundësi që t`i shkëmbejnë rezervat në kuadër të dy tregjeve energjetike dhe të ofrojnë më shumë energji për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve.
Presim që ky bashkëpunim të avancohet tutje me themelimin e bursës së përbashkët të energjisë, në kuadër të së cilës do të mundësohet që edhe palët e tjera tregtare të bëhen pjesë e saj.