Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë shënuar sot ditën e vetë punësimit përmes hapjes së një panairi një ditor ku janë duke marrë pjesë fitues të granteve përmes programit të vetë – punësimit i cili ishte i fokusuar në identifikimin e ideve inovative të cilat synojnë të prodhojnë rezultate të qëndrueshme.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se ky panair e konkretizon punën që është bërë në dy vite në bashkëpunim me UNDP-në, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, më e rëndësishmja është që ky projekt për dy vite ka nxitur ndërmarrësinë.
“Ajo çka është punuar dy vite në bashkëpunim të shkëlqyeshëm profesional në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe UNDP-së, tani po konkretizohet dhe po paraqitet përmes Panairit të Vetëpunësimit, i cili me këtë rast paraqet rreth 100 biznese dhe rreth 300 të punësuar që kanë përfituar nga projekti jonë i përbashkët i vetëpunësimit. Janë shumë sektorë që kanë përfituar, por më e rëndësishmja është se ky projekt ka nxitur ndërmarrësin, i cili ka qenë qëllimi kryesor i këtij projekti”, tha Abrashi.
Përfaqësuesja e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, tha se ky nuk është vetëm një projekt, por është një mekanizëm për t’i integruar njerëzit në tregun e punës.
“Kosova është një vend i ri me njerëz të rijnë dhe vetëpunësimi nuk është thjesht një projekt, por është një mekanizëm për t’i futur të gjithë të pa punët në punësim në Kosovë dhe për ta quar vendin drejt rrugës së Bashkimit Evropian. Edhe pse nuk ka rëndësi të rinj apo të vjetër, por ka rëndësi që ne mund të rrisim konkurueshmërinë brenda vendit, por edhe jashtë”, tha ajo.