MPMS-ja u del në mbrojtje zyrtarëve të saj – demanton Ibishi-Zogajn

Prishtinë | 26 Mar 2021 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale u ka dalë në mbrojtje zyrtarëve të saj nga akuzat që i ka bërë Njomëza Ibishi-Zogaj.

Sipas MPMS-së, pohimet e shkruara nga autorja e shkrimit nuk përkojnë aspak me të vërtetën.

“Mllefi i shprehur nga autorja e shkrimit lidhet me pakënaqësinë e saj që gjatë tri viteve të fundit, ishte ‘detyruar’ të merrte rrogë pa qenë fare e pranishme në vendin e punës sepse komisioni disiplinor, i ngritur disa herë radhazi ndaj saj për mbjellje frike ndaj kolegeve, fyerje, denigrim, prishje të qetësisë në ambient pune, shantazhim, kërcënim fizik, etj., ishte treguar i mëshirshëm duke mos e larguar nga puna, siç ishte konstatuar nga ky komision sipas fakteve të mbledhura ndaj saj”.

Komunikata e plotë:

Gjatë orëve të pasdites së djeshme, në disa mediume elektronike është publikuar një shkrim, titulli dhe përmbajtja e të cilit kishte synim përbaltjen dhe denigrimin e shtatë zyrtarëve të niveleve të ndryshme të ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ky shkrim është hartuar dhe shpërndarë në adresat e shumë mediumeve nga Njomëza Ibishi-Zogaj (punonjëse e kësaj ministrie), përmes portalit ‘Kosinfo.net’ portal ky që administrohet nga bashkëshorti i saj.

Ky reagim po bëhet në emër të Zyrës për Komunikim me Publikun të ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për shkak të keqinformimit të publikut rreth, gjoja, ‘keqpërdorimit’ të detyrës zyrtare nga shtatë zyrtarë të përmendur me emër e mbiemër dhe fotografi në shkrimin tendencioz, i cili, fatkeqësisht është publikuar nga shumë mediume tjera pa përfillur etikën gazetareske (përjashto disa mediume që kanë fshehur identitetin e zyrtarëve të apostrofuar përmes inicialeve).

Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, i cili, duke mos e njohur figurën shantazhuese të Njomëza Ibishit-Zogajt, dhe duke mos qenë i njohur me ecurinë e zhvillimeve brenda institucionit, përmbajtja e shkrimit të djeshëm, në emër të zyrtarëve të MPMS-së të përmendur dhe të pasqyruar vizuelisht në mënyrë shumë joetike dhe të padrejtë, njoftojmë publikun se pohimet e shkruara nga autorja e shkrimit nuk përkojnë aspak me të vërtetën.

Meqë brenda shkrimit përmendet ‘keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ nga kolegët e saj, e ndjejmë të nevojshme të ofrojmë sqarim se një ‘shkelje’ këtillë e pretenduar nuk mund të ndodhë nga kolegët e të njëjtit nivel.

Mllefi i shprehur nga autorja e shkrimit lidhet me pakënaqësinë e saj që gjatë tri viteve të fundit, ishte ‘detyruar’ të merrte rrogë pa qenë fare e pranishme në vendin e punës, sepse komisioni disiplinor, i ngritur disa herë radhazi ndaj saj për mbjellje frike ndaj kolegeve, fyerje, denigrim, prishje të qetësisë në ambient pune, shantazhim, kërcënim fizik, etj., ishte treguar i mëshirshëm duke mos e larguar nga puna, siç ishte konstatuar nga ky komision sipas fakteve të mbledhura ndaj saj.

MPMS-ja dhe të apostrofuarit padrejtësisht në shkrimin e djeshëm tendencioz, do të ngrisin padi ndaj Njomza Ibishit-Zogajt për shpifje, cenim të integritetit  dhe shkelje të privatësisë.

Të ngjashme