Mizoria terroriste e 11 shtatorit në Nju Jork, pati shumë pasoja të habitshme sociale. Një nga ato që pritej më pak qe ishte rritja e dashamirësisë së treguar nga banorët e bardhë të qytetit ndaj afro-amerikanëve, një efekt që vazhdon sot edhe sot e kësaj dite. Taksistët zezakë të intervistuar nga studiuesit në dy aeroportet e qytetit, vunë në dukje se klientët i trajtonin me më tepër mirësjellje sesa para sulmeve.
Megjithatë, njujorkezët nuk u bënë papritmas më shumë miqësorë me të gjithë. Shoferët me origjinë nga Azia Jugore, raportuan një përvojë të kundërt: aty ku ishin ndjerë të respektuar, tashmë ndjeheshin të persekutuar. Një vështrim i shpejtë tek libri i antropologut të njohur evolucionist, “Një histori natyrore e moralit njerëzor”, Michael Tomasello, do t’ju tregojë se ky fluks i normave sociale është i gjithi një element unik me psikologjinë e grupit.
Interesat dhe identitetet brenda grupeve shpesh duket mbizotërojnë mbi ato të individëve. Kjo mund të duket e paarsyeshme, por jo në kontekstin e historisë sonë evolutive. Tomasello ka për qëllim të përshkruajë jo vetëm se si këto qëndrime “ne dhe ata” kanë evoluar, por edhe se si ato përcaktojnë ndjenjën tonë të drejtës dhe të gabuarës.
Ai e fillon duke imagjinuar paraardhësin e fundit të përbashkët të majmunëve të mëdhenj dhe njerëzve, një krijesë e llojit shimpanze që do të kishte jetuar në grupe komplekse sociale, dhe ku marrëdhëniet e saj do të formësoheshin nga një përzierje e bashkëpunimit dhe konkurrencës. Një nga tiparet e dukshme njerëzore qe një prirje e fortë për të ndihmuar të tjerët në nevojë, një sjellje që Tomassello është i bindur se ka qenë e nxitur nga simpatia.
“Nuk ka asnjë arsye për të besuar se këto akte ndihme nuk janë asgjë ndonjë gjë tjetër përveçse një gjest naiv”, thotë ai.
Tomasello është po aq i bindur se paraardhësi ynë primat nuk kishte asnjë kuptim mbi ndershmërinë apo drejtësinë.
Zhvendosemi disa milion vjet dhe gjejmë njerëzit e hershëm që e përshtatin sjelljen ndihmuese një nivel më të lartë, teksa bëhen gjithnjë e më të varur nga një shumëllojshmëri më e madhe individësh në grupin e tyre. Modeli Tomasello në atë fazë janë fëmijët, të cilët janë më shumë të motivuar për të ndihmuar të tjerët që në moshë të re – me sa duket jo për shkak se ata kërkojnë favore reciproke, por për shkak të shqetësimit të vërtetë për mirëqenien e të tjerëve.
Tomasello vë në dukje: ”Fëmijët e vegjël janë po aq të kënaqur si kur ndihmojnë dikë në nevojë, edhe kur e shohin se personi ndihmohet nga një palë e tretë… Kjo tregon se motivimi i tyre nuk është të sigurojnë ndihmë për veten e tyre, por vetëm të shohin se personi tjetër është i ndihmuar”. Nga kjo, ai supozon se njerëzit e lashtë ishin ndoshta të moralshëm nëse ata kishin ndjenjën e drejtësisë dhe detyrimit ndaj të tjerëve.
Por, ky moral i sapolindur zbatohet vetëm ndërmjet individëve dhe jo në nivel grupi. Modeli i grupit të gjerë që ne e njohim sot u shfaq vetëm rreth 100-150 mijë vjet më parë, kur grupe më të mëdha njerëzisht filluan të konkurronin ato më të vogla. Prej atëherë e tutje, siguria bazohej tek numrat. Përderisa askush s’mund të njihej nga afër me shumë se rreth 150 persona në çdo kohë (numri i famshëm i Danbarit), njerëzit e asaj kohe patën papritur nevojë për një mënyrë që të njihnin anëtarët e tjerë të fiseve të tyre të zgjeruara rishtazi.
Zgjidhja: të bëheshin të gjithë konformues, duke u veshur njëlloj ose duke adoptuar sjellje të ngjashme. Identiteti kulturor u bë pastaj pjesë e identitetit individual, çka u pasua nga një psikologji morale e mendësisë së grupit. Pjesa tjetër është histori. Tomasello është bindës, para së gjithash, për shkak se ai ka drejtuar vetë shumë prej studimeve të rëndësishme (tek shimpanzetë, bonobotë dhe fëmijët).
Ai përfundoi duke theksuar ndikimin e fuqishëm të grupeve të gjera kulturore mbi njerëzit modernë, por kjo nuk është e gjithë historia. Pjesa më e madhe e sjelljes sonë është e udhëhequr ende nga dinamika e grupeve të vogla: ushtarët kanë prirje për të luftuar luftërat jo për vendin e tyre, por siç sugjeron ai, për shokët e tyre të armëve. Do të ishte interesante të dëgjohej reagimi i tij se si këto sfera të ndryshme të ndikimit përplasen me njëra-tjetrën.
Libri mund të jetë një lexim sfidues – duhet përgatitje për përdorimin liberal të termave të tilla si “bashkëspecifik” dhe “ekspedita e bashkëpunimit të detyruar”. Megjithatë, ia vlen të përpiqeni, për shkak se në fund do të ndjeheni si një autoritet. Tomasello ndërton gjithashtu një udhëzues djallëzor, duke u shfaqur lumturisht i habitur se tekefundit morali ekziston.
“Është një mrekulli që ne jemi të moralshëm, por s’duhet të jetë kështu. Ndodh pikërisht kështu pasi në tërësi, ata prej nesh që marrin vendime kryesisht morale në shumicën e kohës kanë patur më shumë fëmijë… Ne thjesht duhet të habitemi dhe kremtojmë faktin se morali duket të jetë në një farë mënyre i mirë për speciet, kulturat tona dhe veten tonë – të paktën deri më tani”, thotë ai.
Cinikët do të theksojnë se ajo që ndodh shpesh është e kundërta: të gjithë jemi të motivuar fuqimisht nga interesi vetanak dhe shumë paragjykime, në një kohë që dhe shumica e luftërave janë të shkaktuara nga mentaliteti në grup/jashtë-grupit. Por, për Tomasellon, nuk ka asnjë kontradiktë në faktin që motivet egoiste bashkëjetojnë me ato altruiste. Përveç kësaj, ai vë në dukje me gëzim se në çdo situatë “motivet tona bujare ose egalitare, mundet në parim të triumfojnë, teksa njerëzit dëshmojnë çdo ditë se si ata sakrifikojnë veten e tyre për të tjerët”. (New Scientist)Në shqip, nga: (www.bota.al)