MSh e përkushtuar për zhvillimin e mjekësisë familjare

Prishtinë | 16 Shk 2017 | 14:12 | Nga

Në muajin shtator të këtij viti në Kosovë, do të organizohet një konferencë ndërkombëtare, në të cilën do të prezantohen dobitë e zhvillimit të Mjekësisë Familjare me qëllim të vetëdijësimit të popullatës në përgjithësi.

Kjo gjë u bë e ditur sot, pas takimit që Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, priti në  takim ekspertë të Mjekësisë Familjare nga Kolegji Mbretëror i  Britanisë së Madhe, të cilët njëherësh janë edhe mbikëqyrës të programit specialistik të Mjekësisë Familjare në Kosovë, takim në të cilin edhe  u bisedua për rrjedhën e këtij programi.

Ministri Rrahmani, potencoi fokusin e MSh-së në mbështetje të edukimit të vazhduar të mjekëve familjarë me programin specialistik, që për qëllim ka ngritjen e kapaciteteve profesionale të mjekëve familjarë respektivisht ngritjen e cilësisë së shërbimeve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

Ministri po ashtu,  shprehu falënderimin e tij për Kolegjin Mbretëror të Britanisë së Madhe, “për angazhimin e ekspertëve të Mjekësisë Familjare, që  po ndihmojnë që kjo fushë të zhvillohet sipas standardeve të larta edhe në Kosovë”.

Ekspertët britanik kanë njoftuar Ministrin Rrahmani për ecurinë e programit të cilin e vlerësuan të dobishëm dhe mjaft të rëndësishëm dhe siç thanë ata “ zhvillimi i Mjekësisë Familjare,  është mënyra më e mirë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarit dhe që ka një kosto shumë më të ulët financiare të mbrojtjes shëndetësore”.

Programi Specialistik i Mjekësisë Familjare në Kosovë është akredituar nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm i Britanisë së Madhe.

 

Të ngjashme