Ministri në detyrë i Shëndetësisë dr. Imet Rrahmani i dorëzoi sot Kryetarit të Odës së Stomatologëve të Kosovës, dr. Kujtim Shala, vendimin për bartjen e kompetencave për ri-licencim nga Ministria e Shëndetësisë tek Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK).
Sipas këtij vendimi, procedura për ri-licencim të stomatologëve në Kosovë do të fillojë pas valorizimit të Edukimit të Vazhduar Profesional (EVP) në pajtim me aktet në fuqi, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të mbështes bartjen e përgjegjësive dhe dokumentacionit për fillimin e procesit të ri-licencimit, duke asistuar stafin administrativ.
Ministri Imet Rrahmani tha se me bartjen e kësaj përgjegjësie nga MSh tek OSK, pothuajse po arrihet të përfundohet cikli i bartjes së kompetencave tek Odat e Profesionistëve Shëndetësor.
“Oda e Stomatologëve ka arritur t’i zhvilloj kapacitetet për bartjen e kompetencave të ri-licencimit, kështu që me bartjen e kësaj përgjegjësie, i dëshirojmë OSK punë efikase në ushtrimin e përgjegjësive të saja publike”, tha Ministri Rrahmani, duke theksuar faktin se MSh do të vazhdojë të bart përgjegjësitë edhe tek Oda e Mjekëve, duke ushtruar në të njëjtën kohë përgjegjësitë e mbikëqyrjes së odave, sipas obligimeve ligjore.
“Vlerësoj se është bërë punë e madhe në funksionalizimin e odave pavarësisht se vendosja e afateve në ligj, ka qenë si një lloj mbingarkese në këtë proces”, tha Ministri Rrahmani.
Kryetari i OSK, Kujtim Shala, falënderoi Ministrinë për bashkëpunimin në fuqizimin e kapaciteteve të kësaj ode dhe theksoi faktin se kjo odë do të vazhdojë procesin e fuqizimit të saj, për të dhënë kontributin në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Ditë më parë, Odës së Farmacistëve, Odës së Infermierëve, Odës së Fizioterapeutëve dhe Odës së Stomatologëve i ishin bartur nga MSh edhe kompetencat për akreditimin e programeve të edukimit të vazhduar profesional, derisa kompetencat për edukim të vazhduar profesional dhe çështje etike janë bartur vitin e kaluar.