Ministria e Shëndetësisë ka pranuar një automjet mjekësor, donacion nga forcat italiane në kuadër të forcës paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Larifi, tha se është ditë e bukur për Ministrinë e Shëndetësisë pasi siç tha ai, miqtë italian kanë vendosur ta dhurojnë një automobil për këtë ministri.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi falënderoi KFOR-in italian për angazhimin e tyre për ruajtjen e paqes në Kosovë, donacionin e dhënë sot si dhe kontributin e vazhduar për shëndetësinë e Kosovës.
“Është një ditë shumë e mirë për ne ngase miqtë tanë nga KFOR-i italian kanë vendosur të na dhurojnë një automjet mjekësor. Jam i nderuar të pranoj këtë donacion të nevojshëm që do ta modernizojë flotën e shërbimeve shëndetësore në Kosovë”, tha Ministri Latifi.
Ai falënderoi edhe zëvendës-ambasadorin e Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero, po ashtu i pranishëm në këtë ceremoni, për bashkëpunimin për të shtyrë para programin e trajnimeve për profesionistët mjekësor të Kosovës në fushën e kirurgjisë dhe kardiokirurgjisë së fëmijëve.
Zëvendëskomandanti i KFOR-it, Brig. Gjeneral Luigi Piperni tha se në fund të bashkëpunimit intensiv me institucionet e Kosovës, donacioni i sotëm është shenjë e një investimi të rëndësishëm në mbarë sistemin shëndetësor të Kosovës.
“Ky mjet do ta bëjë edhe më efikas shërbimin aktual të urgjencës mjekësore duke përforcuar kapacitetet ekzistuese të Ministrisë së Shëndetësisë; do të rrisë aftësitë e reagimit ndaj emergjencave, si nga pikëpamja funksionale ashtu edhe nga ajo teknologjike, me qëllimin përfundimtar për të ofruar një përfitim të prekshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha gjenerali Piperni.
Ai, shprehu gjithashtu, mirënjohjen për MSU që kontribuuan në suksesin e projektit dhe organizimin e sotëm.