Vaksina anti-Covid pritet të mbërrijë në fillim të vitit të ardhshëm edhe në Kosovë.
Për këtë gjatë së hënës Ministria e Shëndetësisë ka aplikuar zyrtarisht në Aleancën Globale të Vaksinave, që ka ndërtuar një mekanizëm si COVAX për të siguruar qasje më të lehtë në vaksina për vendet me ekonomi të ulët .
Drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti tha për gazetën Objektiv se një pjesë të vaksinave Kosova do t’i marr falas.
“Kjo aleancë e ka listuar Kosovën në mesin e 92 shteteve të cilat 20 për qind e vaksinave për popullatën e saj do ta dhurojë, pra kemi të bëjmë me 20 për qind të vaksinave të cilat Kosova do ti marr si donacion. Ndërkohë që pjesën tjetër varësisht se çfarë sasie do ta konsiderojmë si të duhur do ta bëjmë me fonde të Ministrisë së Shëndetësisë, qeverisë së Republikës së Kosovës, eventualisht me një përkrahje të donatorëve të ndryshëm”, tha Hoti.
Hoti ka treguar se cilët persona do të kenë përparësi për t’i marr vaksinat e para në Kosovë.
“Do të jetë Instituti i Shëndetit publik dhe një ekip i ekspertëve i ndërtuar enkas për çështjen e vaksinës anti-covid ai që do të përcaktoj modalitete të tjera për sasinë e vaksinave që do ti duhen Kosovës për të mbuluar grupet e rrezikut me vaksinë. Në momentin që vaksina që sigurohet dhe është e çashme për popullatën tonë, natyrisht si grupe prioritete do të jenë profesionistët shëndetësorë, të moshuarit mbi moshën 65 vjeçare, të sëmurët kronik, shtatzënat dhe lehonat si dhe shërbimet e tjera të cilat janë të lidhura drejtpërdrejtë me menaxhimin situatës epidemiologjike rreth Covid 19”, shtoi Hoti.
Drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka folur edhe për masat e reja të kësaj ministrie për festat e fund vitit.
Sipas tij, kjo do të varet nga situate epidemiologjike në vend.
“Qeveria ka paralajmëruar që do të bëjë rishikimin e masave në fuqi dhe para festave të fund vitit do të mund të ketë edhe masa tjera, mirëpo a do të jenë këto masa më restriktive apo më relaksuese kjo varet drejtpërdrejtë nga situata epidemiologjike në terren. Sa i përket vendeve tjera ne kemi parë që kohë me parë disa shtete kanë pasur mbyllje klasike pothuajse dhe si rezultat i kësaj e kanë ulë numrin e rasteve në spitale dhe gradualisht kanë filluar ti relaksojnë masat. Tash Kosova nuk mund të bazohet në indikator të shteteve të tjera, por ekskluzivisht bazohet në atë çfarë është në terren”, përfundoi Hoti.
Megjithatë numri i të infektuarve me virusin korona vazhdon të jetë i lartë në vend. Gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 17 persona dhe janë shënuar 557 raste të reja. /Objektiv