Edhe një herë pritet që të shtyhet fillimi i implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Afati kohor i përcaktuar në janar të vitit 2018 për fillimin e mbledhjes se premiumeve është i pamjaftueshëm për përmbushjen e obligimeve të institucioneve shtetërore, të cilat janë kusht për zbatimin e ligjit, shkruan sot Koha Ditore.
Që nga rënia e Qeverisë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë hap për krijimin e infrastrukturës ligjore që do të mundësonte zbatimin e këtij ligji, ose krijimin e kushteve të tjera që ligjërisht i hapin rrugën zbatimit të këtij ligji.
Pjesëmarrësit në grupet punuese brenda MSH-së për zbatim të këtij ligji kanë thënë se MSH-ja e ka bllokuar këtë proces deri në ardhjen e Qeverisë së re. Ministri në detyrë, Imet Rrahmani, nuk u është përgjigjur sms-ve e telefonatave të gazetës se ku ka mbetur procesi që nga ai ishte paralajmëruar se do të fillojë shumë kohë më parë.