Ministria e Shëndetësisë ka ndarë sot katër autoambulanca për Kujdesin Parësor Shëndetësor në komunat Fushë-Kosovë, Viti, Ferizaj dhe Kamenicë
Me rastin e dorëzimit të autoambulancave, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, dr. Naim Baradiqi, tha se ndarja e tyre është bërë sipas prioriteteve të vlerësuara nga Ministria e Shëndetësisë bazuar në kërkesat e pranuara dhe se do të vazhdojë që edhe vitin tjetër të pajis Kujdesin Parësor Shëndetësor me autoambulanca të tjera me qëllim të ruajtjes së jetës së qytetarëve kosovarë dhe përparimit të shëndetit të tyre.
Përfaqësuesit e komunave përfituese kanë shprehur falënderimin e tyre për Ministrinë e Shëndetësisë dhe kanë theksuar se me autoambulancat e reja, do të kenë mundësi që të ofrojnë shërbime shëndetësore më të shpejta dhe më të mira për qytetarët e tyre, përfshirë edhe zonat më të largëta nga qendrat.
Autoambulancat kanë kushtuar rreth 200 000 euro, ndërsa janë blerë nga MSH-ja bazuar në termat e referencës (Basic life support BLS) të përcaktuar nga ekspertët e kujdesit shëndetësor emergjent, sipas ISO standardeve për pajisje mjekësore.