U diskutua lidhur me Marrëveshjen e kredisë Kosovë – Unicredit Bank Austria AG, për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK.
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, kryesuar nga kryetarja e komisionit Flora Brovina, kishte të ftuar ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani.
Mbledhja vijoi me raportimin e ministrit të Shëndetësisë lidhur me Marrëveshjen e kredisë Kosovë – Unicredit Bank Austria AG, për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK, si dhe diskutimin lidhur me punësimin e asistentëve dhe specialistëve të mjekësisë.
“Lidhur me mosmiratimin e kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi, ministria ka qenë e hapur, duke diskutuar për implementimin e kësaj marrëveshje me Komisionin tuaj si dhe paraqitjen fizike të të gjithë dokumentacionit”, theksoi ministri, Rrahmani. Ai sqaroi rëndësinë dhe mundësinë për të gjetur rrugë të reja për implementimin e kësaj marrëveshjeje.
Deputetët Muja dhe Haxhiu, ndërkaq, theksuan se ka shenja abuzive lidhur me këtë marrëveshje, siç janë, paqartësia për shtimin e fondit prej 500 mijë euro për trajnim të specialistëve në Austri për dy javë, rregullim ambienti, mirëmbajtje etj, të cilat janë të parashikuara në vlerën e kontraktimit. “Gjithashtu shifra e lartë e blerjes së aparaturës së Kardiologjisë Invazive me gati dyfishin e vlerave që jepen në internet, është e papranueshme” theksoi deputeti Muja.
Lidhur me punësimin e asistentëve dhe specialistëve të mjekësisë, kryetarja e komisionit, Brovina, si dhe deputetë të tjerë shtruan pyetje dhe ngritën shqetësime të ndryshme për politikat e ministrisë së Shëndetësisë për mundësinë e hedhjes së hapave konkrete për ndryshimin e situatës si dhe problemin e specialistëve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ministri Rrahmani dha shpjegimet e duhura dhe paraqiti edhe shifra konkrete për hapat që po merr Ministria e Shëndetësisë për ndryshimin e situatës sidomos me hapjen e vendeve të punës dhe përgatitjen e data-bazës së saktë për të dhënat e specializantëve, numrin e tyre dhe përgatitjen e vendeve të punës sipas profileve.
Anëtarë e komisionit dhe deputetët pjesëmarrës, pasi theksuan se është një punë e keqmenaxhuar prej vitesh, falënderuan ministrin për hedhjen e hapave konkrete për ndryshimin e situatës dhe përpjekjeve për krijimin e vendeve të reja të punës, krijimin e data-bazës për të dhënat e punonjësve shëndetësorë dhe specializantëve të rinj.
Për mungesë të kuorumit, ndërkaq, shqyrtimi i Projektligjit për shërbimin mjekësor emergjent do të zhvillohet në mbledhjen e nesërme në ora 14.