Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka hartuar draftin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për zonat ekonomike, me të cilin synon që kompetencën për formim të zonave ekonomike ta marrë nga Qeveria e Kosovës dhe komunat.
Këtë iniciativë kjo ministri e ka arsyetuar me faktin se do t’i qartësojë kompetencat për krijimin e zonave ekonomike, shkruan Koha Ditore.
Njohës të kësaj çështjeje thonë se kjo heq procedurat burokratike për krijim të zonave ekonomike, ndërkohë që kanë thënë se me ligjin e ri, i cili është në fazën e konsultimeve publike presin që edhe zonat ekonomike aktuale të funksionojnë më mirë.
Sipas zyrës për media të MTI-së, ndryshimet themelore të parapara që të bëhen në këtë Projektligj janë definimi i vendimmarrjes në themelimin e zonave ekonomike, përcaktimi i kompetencave për administrimin dhe menaxhimin e zonave ekonomike, përcaktimi i afatit kohor për fillimin e ndërtimit të zonës ekonomike dhe harmonizimi i ndërtimit të zonave ekonomike me planet zhvillimore komunale…