MTI-ja synon të ulë kriterin e vlerës së investimeve për projekte strategjike

Prishtinë | 05 Tet 2020 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

Tre muaj para se të përfundojë afati për aplikim për të fituar statusin e investitorit strategjik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po synon që përmes ndryshimeve ligjore ta zgjatë afatin edhe për 5 vjet. Përveç kësaj, ajo po parasheh që të ndryshojë edhe shumat për investime që janë kriter për të fituar një status të tillë, i cili më pas parasheh disa lehtësira për këto biznese investuese.

Procedura për ndryshim të ligjit ka nisur tre vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për investime strategjike. Ajo ka paraparë një sërë ndryshimesh të këtij ligji, me synimin, siç ka thënë, për ta bërë atë më funksional dhe për t’iu shmangur padive në arbitrazh. Për tre vjet, sa është në fuqi Ligji aktual për investime strategjike, i është aprovuar statusi i investitorit strategjik vetëm një kompanie.

Me plotësim-ndryshimet e propozuara, Ministria e Tregtisë po synon që të ndryshojë edhe vëllimin minimal të investimit për të fituar statusin e investimit strategjik. Derisa për sektorin e transportit dhe telekomunikacionit parashihej që për të fituar këtë status vlera e investimeve duhet të jetë minimum 30 milionë euro, ajo është zbritur në 20 milionë.

Ndryshimi i shumës është bërë edhe në fushën e turizmit – nga 20 milionë euro ajo është zbritur në 10 milionë euro. Për industrinë prodhuese dhe përpunuese në Ligj parashihet shuma e investimeve të jetë 20 milionë, ndërsa me plotësim-ndryshim rekomandohet që të jetë 10 milionë euro.

Ndryshime të shumës investuese ka pasur edhe për sektorin e bujqësisë dhe industrisë ushqimore, nga 10 milionë ajo është zbritur në 5 milionë. Për sektorin e shëndetësisë, për të fituar statusin e investitorit strategjik ishte 30 milionë euro, ndërsa me ndryshime do të jetë 10 milionë euro. Ndryshime të shumave ka pasur edhe për investimet në sektorë të tjerë.

Nëpërmjet plotësim-ndryshimit Qeveria ka paraparë caktojë afatin që parasheh që palët obligohen që në afat prej 6 muajsh pas vendimit të Qeverisë për dhënien e statusit investitor strategjik, të nënshkruajnë marrëveshje për investime strategjike.

Në rast të rast të mos nënshkrimit të marrëveshjes për investimin strategjik nga ana e palëve, në afatin prej 9 muajsh nga data e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për dhënien e statusit investitor strategjik, Qeveria pas propozimit nga Komisioni merr vendim për revokimin e statusit të investitorit strategjik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme