Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë të ditur përmes një komunikate se hapja e paralajmëruar e striptizit në qendër të Prishtinës nuk është adresa e saktë siç është raportuar në media.
Sipas MTI-së, adresa e “Club Shqiponja” është në Graçanicë, ashtu siç është regjistruar në ARBK.
“Adresa e “CLUB SHQIPONJA STRIPT” SH.P.K. e regjistruar në ARBK është Graçanicë, dhe nuk ka ndonjë njësi-degë në ndonjë lokacion tjetër të regjistruar brenda territorit të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, MTI do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të verifikuar nëse ka ndonjë degë-njësi tjetër ndryshe nga ajo e regjistruar në ARBK. MTI, në bashkëpunim me Institucionet tjera kompetente, do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për të adresuar këtë çështje”, sqaron MTI.
Sqarimi i plotë:
Duke ju referuar kronikës së një televizioni “Striptiz në Qendër të Prishtinës”, datë 13.02.2019, përmes kësaj komunikate për media ju sqarojmë se: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), ka në mandatin e saj ligjore vetëm regjistrimin e veprimtarive të te gjitha shoqërive tregtare që ushtrojnë veprimtari biznesore në Republikën e Kosovës. Regjistrimi në ARKB, ka karakter formal-administrativ dhe kjo nuk predikon ushtrimin e ndonjë veprimtarie për të cilën kërkohet licencë-leje e veçantë.
“CLUB SHQIPONJA STRIPT” SH.P.K. ka bërë regjistrimin e veprimtarisë afariste pranë ARBK-së, duke u bazuar në kodet e përcaktuara në NACE. NACE “Klasifikimi Statistikor i Veprimtarive Ekonomike në Bashkimin Evropian”, është subjekt juridik (bazë ligjore) në nivel të Bashkimit Evropian, që obligon përdorimin e klasifikimeve të të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së. Me legjislacionin në fuqi, janë autoritetet komunale ato që lëshojnë pëlqimet për zhvillimin e veprimtarive afariste nga ana e shoqërive tregtare.
Adresa e “CLUB SHQIPONJA STRIPT” SH.P.K. e regjistruar në ARBK është Graçanicë, dhe nuk ka ndonjë njësi-degë në ndonjë lokacion tjetër të regjistruar brenda territorit të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, MTI do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të verifikuar nëse ka ndonjë degë-njësi tjetër ndryshe nga ajo e regjistruar në ARBK.
MTI, në bashkëpunim me Institucionet tjera kompetente, do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për të adresuar këtë çështje.