Kosova synon ta promovojë turizmin e qëndrueshëm, si një mjet për zhvillim ekonomik.
Kështu u tha Konferencën “Diplomacia dhe Turizmi”, të organizuar në Prishtinë me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Bajram Hasani, ministër i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në kuadër të së cilës funksion KIESA, në hapje të konferencës, tha se Kosova mund dhe duhet ta shfrytëzojë turizmin si sektorin më potencial për zhvillimin ekonomik.
Hasani tha se zhvillimi i turizmit do të jetë prioritet i prioriteteve për qeverinë Haradinaj.
“Kosova synon të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Turizmit që do ta ndihmonte Kosovën në ngritjen e standardeve si dhe ngritjen e imazhit të Kosovës në botë”, tha Hasani, raporton Ekonomia Online.
Konferenca ka për qëllim prezantimin e mundësive për promovimin e turizmit në Kosovë përmes diplomacisë si dhe hapjen e diskutimit për kapacitetet e Republikës së Kosovës në fushën e Turizmit.
Me këtë rast, u bë e ditur se Kosova që nga fillimi i këtij viti ka atashe ekonomikë në të gjitha konsullatat e saj.
Një ndër prioritetet e para të Hasanit si ministër do të jetë funksionalizimi i Departamentit të Turizmit.
Po ashtu, MTI do ta riaktualizojë Projektin e Brezovicës, i cili dështoi të privatizohet, duke ftuar sërish investitorët për investime në këtë projekt të madh.
Sipas ministrit Hasani, Kosova aktualisht është më shumë e njohur në botë për gastronomi dhe kulturës e trashëgiminë. Ai përmendi si shembull të mirë Festivalin “Dokufest”.
Në konferencë u vlerësua përkrahja e sektorit të turizmit dhe projekteve në këtë fushë nga organizata donatore, siç është Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) – Swisscontact.
Albert Prenkaj, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), tha se Kosova mund të identifikohet si një pikë shumë e rëndësishme në promovimin dhe zhvillimin e turizmit. “Por kjo duhet të shikohet dhe si pjesë e rajonit dhe shkon në një linjë me bashkëpunimin që Kosova zhvillon me rajonin:, u shpreh ai.
“Në politikën e jashtme, diplomacia ekonomike është një ndër prioritetet e para dhe me qeverinë e re diplomacia ekonomike ka fituar rëndësi më të madhe”, shtoi Prenkaj.
Besian Mustafa, drejtor i KIESA-s, tregoi se sivjet kanë mbështetur pjesëmarrjen e disa kompanive në dy panaire botërore, në bashkëpunim me PPSE-në, si dhe Ambasadën e Francës.
“Turizmi si sektor ekonomik ka nevojë për një përkrahje shumë më të madhe sesa që e ka pasur deri më sot”, deklaroi Mustafa.
Dita Botërore të Turizmit ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për rolin dhe rëndësinë e turizmit. Motoja e sivjetme është “Turizmi i qëndrueshëm një mjet për zhvillim”
Sipas statistikave, Kosova ka pasur rreth 200 mijë vizitorë vitin e kaluar; një shifër kjo e ulët krahasuar edhe me shtetet e rajonit. Shqipëria, psh, ka pasur rreth 3.8 milionë turistë gjatë të njëjtës periudhë.