Besnik Muçaj nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale ka vlerësuar se roli i kryetarëve të komunave është dominues përderisa kuvendet komunale nuk janë funksionale sa duhet.
“Kuvendet komunale janë kryesisht për ngritje duarsh. Ka probleme financiare, kanë paga të dobëta dhe mungojnë mekanizmat kontrollues”.
“Kryetaret janë shumë më të fuqishëm dhe dominues. Gjithë politikëbërja dhe vendimmarrja koncentrohet te kryetari, kjo për shkak të mungesës së mekanizmave mbikëqyrës. Përderisa kuvendet komunale, shoqëria civile dhe mediat lokale nuk kanë pasur mundësi për t’i përdorë mekanizmat e tyre mbikëqyrës, është krijuar një disbalancë në kontrollimin e funksionit të kryetarit”
Mucaj ka deklaruar se procesi i decentralizimin nuk ka ndodhur mi bazën e studimeve të fizibilitetit, mirëpo ka qenë një proces politik pa ndonjë analizë të mirëfilltë.
Gjatë intervistës në Info Magazine të Klan Kosovës, ai shtoi se problemi kryesor qëndron tek financimi i komunave dhe se mungojnë kritere të qarta për themelimin e komunave të reja.
“Kemi 19 kërkesa për themelimin e komunave të reja. Natyrisht secili lokalitet ka të drejtë të parashtroje një kërkese të tillë”.
“Ajo që ka nevojë të thuhet është se ende nuk ekzistojnë kritere të qarta që tregojnë se cilat kritere duhet te plotësohen për aplikim. Kemi Ligjin për Kufi Administrativ që rregullon numrin e komunave por nuk përcakton kritere për themelimin e një komune të re”.