Këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, paralajmëroi se mund të lëshojë urdhëresë zyrtare për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që të paraqitet përpara një jurie të madhe, në lidhje me hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA, raportojnë mediat amerikane.
Mueller foli për këtë punë gjatë bisedimeve me avokatët e Trumpit në muajin mars.
Ai tha se urdhëresa do ta detyronte presidentin të përballej me hetuesit, raporton Washington Post.
Besohet se është hera e parë që Mueller ngre mundësinë e detyrimit të Trumpit për të dëshmuar.
Gazeta New York Times publikoi të hënën dhjetëra pyetje që Mueller u ka dhënë avokatëve të Trumpit.
Pyetjet, mes tjerash, kanë të bëjnë me motivet e Trumpit për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, në maj të vitit të kaluar, dhe me kontaktet e fushatës së Trumpit me zyrtarët rusë.
Trump tha se “është e turpshme” që lista e pyetjeve që Mueller dëshiron t’ia shtrojë atij, ka “rrjedhur” në media.