Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kanë arritur që të menaxhojnë situatën me pandeminë.
Madje ai tha se janë duke u zbatuar në përpikëri vendimet e Qeverisë. Mirëpo, ai thotë se probleme më të mëdha kanë pasur te bizneset.
“Në komunën e Suharekës gjendja e qytetarëve është e qetë. Janë duke u zbatuar vendimet e qeverisë në përpikëri në Komunën e Suharekës prej që ka hyrë ligji i pandemisë në fuqi për ne është më lehtë”.
“Kështu që nuk kemi probleme të mëdha. çdo gjë është në rregull punët janë duke vazhduar në teren. Problemet më të mëdha kanë pasur bizneset por kjo nuk është duke ndodhur vetëm në komunën e Suharekës por në të gjitha komunat”.
Muharremaj theksoi se janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor me 1 shtator, ku vetëm në tri shkolla të Suharekës do të punohet me dy ndërrime.
“Ne jemi gati dhe kemi 33 shkolla, dhe jemi duke kaluar në fazën e parë ku mbi 70% fillon mësimi komplet në komunën e Suharekës, përveç në tri shkolla që kemi probleme do të punohet me ndërrime. Do të vendosim për gjimnazin, ku do të punohet me dy ndërrime. Përndryshe në shkolla të tjera mësimi fillon me 1 shtator”.
Ai kërkoi nga prindërit që të punojnë më shumë me fëmijët e tyre, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor.
Muharremaj potencoi se ka rritje të gjobave edhe në komunën e Suharekës, raporton EO.
“Me thënë të drejtën duhet të ketë më shumë vetëdijesim të ruhemi më shumë. Unë kisha kërkuar nga prindërit të punojnë me fëmijë të vet”.
“Çdokush duhet të përgatitet për në shkollë dhe shpresoj që kësaj sfide t’ia dalim me sukses. Ka rritje të gjobave edhe në Suharekë, mirëpo masat janë duke zbatuar”.